Qarku i Fierit ka gati 400 mijë votues në listën e zgjedhësve dhe dërgon në Kuvendin e Shqipërisë 16 deputetë, duke qenë qarku i dytë më i madh pas Tiranës. Fieri është një zonë që ka votuar historikisht në shumicë Partinë Socialiste por surprizat nuk kanë munguar. Për shembull, kundër të gjitha pritshmërive, në vitin 2015, bashkia e Mallakastrës u fitua nga kandidati i PD, Agron Kapllanaj ndërsa Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila në zgjedhjet e kaluara garonte më vete dhe doli pa mandat në këtë qark, ka demonstruar se është në gjendje të marrë mijëra vota, të cilat, kësaj here mund të ndihmojnë koalicionin e PD-së.
Në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Socialiste mori 10 nga 16 mandate në qark me 57% të votave, pasi përmirësoi edhe rezultatin që pati marrë më 2013. PDIU arriti të marrë 6 mijë vota dhe zero mandate në qark, por nëse ajo do t’i kalojë këto vota te PD, mandati i dhjetë i socialistëve mund të rrezikohet. PD mori vetëm 4 mandate në Fier në zgjedhjet e kaluara dhe ka kandiduar Nustret Advullën, një biznesmen nga Fieri dhe përfaqësues i PDIU, në vend të pestë. Avdulla, 59 vjeç, ishte kandidati i PDIU më 2017 në Fier ku arriti të marrë 6 mijë votat.
Megjithatë socialistët kanë sërish shanse të mbajnë mandatin e dhjetë edhe nëse PD arrin të marrë të pestin pasi Lëvizja Socialiste për Integrim mori herën e kaluar dy mandate ku i dyti ishte me rezultat shumë të ngushtë. Socialistët e kanë vënë Robert Bitrin, ish-deputet tw PS-sw në vend të njëmbëdhjetë, menjëherë pas Gramoz Ruçit, i cili është pozicionuar i dhjeti me supozimin se kështu do të mbrohet rezultati i katër viteve më parë dhe rrjedhimisht, maxhoranca e socialistëve.
Nëse LSI-së i bie njëri prej mandateve, socialistët janë përfituesit potencial të tij ndërsa nëse PD-së nuk i rriten votat, nuk është çudi që socialistët të marrin mandatin e njëmbëdhjetë duke zgjedhur Robert Bitrin si deputet. Në këtë kontekst, votat e komunitetit çam të Fierit, të cilat në vitin 2013 shënuan kulmin me 9 mijë për PDIU-në, përbëjnë kësaj here çelësin për të caktuar mandate të rëndësishme jo vetëm për rezultatin e Fierit, por edhe për rezultatin e zgjedhjeve në rang kombëtar.
Në vitin 2009, Partia Socialiste fitoi në Fier 9 mandate me 48% të votave ndërsa demokratët dhe aleatët e tyre morën 6 mandate me 36% të votave. Fieri i dha një mandat LSI-së në atë kohë. Më 2013, PD dhe aleatët e saj humbën një mandat, të cilin e fitoi Lëvizja Socialiste për Integrim ndërsa më 2017, PS mori mandatin e dhjetë, duke i lënë PS-së 4 dhe LSI-së 2.(BIRN)