Nga Deada Hyka
Në një nga rrugët më të bukura të Tiranës, shumëçka të kap syri mban emrin Gremi. Dy klinika, dy hotele, laboratorë mjekësorë, një bar-restorant, një piceri. Kurioziteti të zgjat pak, se të gjithë banorët e zonës e njohin Dritanin, ish-emigrantin i cili u rikthye në Shqipëri për të “kapur momentin”.
Madje, edhe historinë mund të ta tregojnë, qoftë kalimtarë rastësorë, apo ndonjë nga dhjetëra të punësuar në bizneset e tij. Pikërisht në këtë ekosistem që mbart emrin e tij, perëndimorët dhe shqiptarët bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. Tani, në 2021, Rruga e Bogdanëve mund të konsiderohet padyshim një pikë e nxehtë e turizmit dentar në kryeqytet. Por, nuk ka qenë gjithnjë kështu.
Ndër vite, që pas viteve ‘90, tregu shqiptar i turizmit dentar apo edhe atij mjekësor në tërësi, ka pësuar ulje e ngritje. Faktorët kanë qenë të shumtë, duke nisur nga abuzimi me çmimet që u ofroheshin të huajve, përdorimi i bazës dentare jocilësore, konkurrenca rajonale, e cila kishte vite përpara në këtë fushë, imazhi i Shqipërisë i paraqitur në mediat e huaja si një vend jo i sigurt. Dritan Gremi thotë për “Monitor” se, pikërisht imazhi është pika kryesore ku çdo politikëbërje duhet të fokusohet, për ta bërë vendin tonë sa më tërheqës.
“Çfarë mendojmë ne kur përmendim Brazilin? Karnavalet. Në fakt është një ndër shtetet me kriminalitetin më të lartë në botë. Çfarë mendojmë kur përmendim Francën? Turizmin qytetar, historinë. Në fakt, është një ndër vendet me diskriminim racor dhe kriminalitet të lartë. Këto, dhe shumë shtete të tjera, ndër vite kanë ‘punuar’ për imazhin e tyre, pavarësisht problematikave të brendshme. Kjo i ka bërë që të jenë tërheqëse në fusha të ndryshme, qoftë në turizëm kulturor ose mjekësor. Kjo duhej bërë me Shqipërinë, shumë vite më parë thotë z. Gremi.
Ai kujton dy italianet e para që erdhën rreth 2010-s në Tiranë, për turizëm dentar në klinikën e tij, të cilat pasi zbritën në Rinas, u lexohej frika në sy. “Pasi kaluan disa ditë në Shqipëri, sigurisht ndryshuan opinion. Nuk ishte Tirana që mendonin se të rrëmbenin apo vidhnin. Për këtë kemi lobuar ndër vite, edhe mes miqsh, edhe në artikuj të ndryshëm të mediave të huaja, investim të cilin e kemi bërë privatisht, por gjykoj që, shteti duhet të mobilizohet më tepër në këtë drejtim” – thotë z. Gremi.
“Viaggiare & Sorridere”, nuk ishte emër rastësor, thotë z. Gremi, duke qenë se, në fillimet e tij, ka menduar që turizmin ta përfshijë në paketën e cila i ofrohej çdo të huaji, përveç, trajtimit mjekësor. Vitet e para, fokusi ishte te kura dentare dhe më pas, edhe në kirurgji estetike, me çmime shumë më të ulëta krahasuar me Italinë që e mirëpriti vite më parë.
“Kroacia e kapi shansin e turizmit shëndetësor shumë më herët se sa ne. Kjo, sepse italianët, ndër vite, kanë pushuar në brigjet kroate dhe shërbimet dentare atje ishin shumë më ekonomike në çmim se sa në Itali. Kroatët, jo vetëm që shfrytëzuan mundësinë, fillimisht vetëm në muajt e verës, por edhe investuan çdo vit e më shumë në këtë drejtim. Ndërkohë, në Shqipëri, edhe pse linjat ajrore kanë qenë të shumta në numër dhe frekuencë, tregu ishte në kaos dhe vitet e para, abuzimi ndikoi në një imazh të keq dhe në mosrikthimin e klientëve”.
Tani historia ka ndryshuar, jo vetëm në sipërmarrjen e Dritanit, por edhe në të tjera kudo në Shqipëri. Pas 2010-s, u vu re një bum kërkesash për shërbime të ndryshme mjekësore në vendin tonë, kryesisht nga italianët, ku kryesonte shërbimi dentar dhe më pas, ai estetik.
Tre vitet e fundit, Shqipëria u bë tërheqëse edhe për kurat e fertilitetit, që dukshëm ishin më ekonomike se sa në Europë, ndonëse Turqia, Serbia dhe Bullgaria, ishin zhvilluar më herët në këtë drejtim. Gjithashtu edhe kirurgjitë estetike ishin të kërkuara. Kujtojmë, në vitin 2016, fjalia më e kërkuar në Google nga shqiptarët ishte “Sa kushton një operacion i hundës”, gjetje e cila e bëri të njohur vendin e vogël ballkanik në studimin e autorëve amerikanë.
Dr. Panajot Papa thotë për “Monitor” se nuk e bën vetëm çmimi shndërrimin e një vendi si pikë e rëndësishme e turizmit shëndetësor, por edhe afërsia kulturore, gjuha, të qenët një vend i sigurt për të udhëtuar dhe stafi mjekësor profesional dhe i besueshëm. Të gjitha këto elemente janë përmirësuar vitet e fundit dhe kjo e vendosi Shqipërinë, sipas tij, në një hartë kryesisht rajonale, për shërbime mjekësore.
E teksa 2019 pati “shpërthimin” më të madh të kërkesave të huaja për shërbime, tashmë të strukturuara, duke qenë se spitalet private, klinikat estetike, si dhe dy agjenci të ndërmjetësimit për turizëm mjekësor bënë përpjekje të vazhdueshme në këtë drejtim, 2020 përmbysi situatën. Pandemia e COVID-19 tkurri në mënyrë të thellë ekonominë botërore dhe bëri që dy e treta e botës, gati 3 miliardë njerëz të izolohen në shtëpi për gati dy muaj.
Tkurrja ekonomike do të thotë tkurrje e turizmit dhe kjo ndikoi edhe në sektorin e turizmit shëndetësor. Të dyja agjencitë e ndërmjetësimit për turizëm shëndetësor, “Health Tourism Albania” dhe “Medical Tourism Albania” mbyllën zyrat dhe pritën për të parë ecurinë, në kushtet e një terri informacioni për virusin dhe ndërprerjen e fluturimeve globalisht.
Dritan Gremi thotë se, gjatë tre muajve në karantinë, nisëm të mendonim për strategjinë e ringritjes dhe të përshtatjes me realitetin e ri.
“Në kohën kur të gjithë klinikat dentare pushuan funksionimin dhe spitalet private u fokusuan në mënyrë direkte në luftën ndaj COVID-19, ne nisëm fushatën e marketingut dhe promocionit, në prill 2020, për të dalë në treg me ofertat e reja, duke besuar në rihapjen e shpejtë të territorit dhe të aktiviteteve ekonomike” – thotë z. Gremi, i cili shton se, asnjë punonjës nuk u pushua në atë kohë. “Ndonëse kishte ende mungesë informacioni se çfarë do të ndodhte, menduam dhe zbatuam një plan më rigoroz me protokolle të forta higjieno-sanitare anti-COVID-19 për t’i bërë ballë situatës.
Punuam nga shtëpia dhe elementi i parë që nxorëm, ishte pagesa e udhëtimit për çdo turist që do të donte të vinte në Shqipëri në momentin e rihapjes. Këtë plan vijojmë ta kemi. Më 12 qershor patëm italianin e parë që shkeli në Tiranë dhe gjërat më pas filluan të përmirësohen. Tre muaj nuk kishim asnjë klient, por në qershor patëm 60% më shumë klientë se i njëjti muaj i vitit të kaluar, vera gjithashtu pati një rritje të kërkesës, pak më qetësi në tetor, nëntor, duke u rikthyer sërish në dhjetor me klientë të rinj. Ky vit nisi mirë gjithashtu” – thotë z. Gremi.
Dr. Ramiz Luma nga klinika “Toti dhe Gurakuqi” gjithashtu pohoi për “Monitor” se, në përfundim të karantinës, jo vetëm shqiptarët patën kërkesa për shërbime dentare. Ai shton, se duke respektuar maksimalisht protokollet e higjienës, tre muajt e fundit të 2020 dhe në muajt e parë të 2021 patën një bum kërkesash edhe nga të huajt për shërbime dentare.
Dritan Gremi shton se turizmi dentar mori një goditje të rëndë globalisht, por kjo “nuk do të thoshte se duhet të dorëzoheshim, duke pritur në heshtje falimentimin e asaj çfarë kishim ndërtuar ndër vite”.
“Situata ishte dinamike ndaj dhe evoluoi shpejt, duhet të kishim aftësinë për të lexuar në mënyrën e duhur këto ndryshime dhe të merrnim sa më shpejt vendimet e duhura. Në mendimin tim, edhe këtë vit, operatorët turistikë duhet të rishohin ofertat e tyre. Nuk duhet të dekurajohen duke thënë se erdhi fundi, është thjesht një fillim i ri. Nuk duhet të qëndrojmë vetëm në pritje të subvencioneve nga shteti, gjëja më e rëndësishme është rifillimi i aktivitetit dhe rimëkëmbja e ekonomisë, duke gjetur dhe duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat e mundura në respektim të kushteve të reja për situatën në të cilën ndodhemi.
Kriza e vendeve më të zhvilluara mund të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve të huaj që zgjedhin të kurohen jashtë vendit të tyre, duke shfrytëzuar çmimet më të ulëta krahasimisht me vendet në të cilat jetojnë” – thotë z. Gremi. Ndonëse është rritur cilësia e bazës materiale që përdoret si në fushën dentare, por edhe në shërbime të tjera, ai pohon se Shqipëria është sërish 60% më e lirë se shumë vende europiane, me të cilat po punohet. Tregu francez dhe britanik, sipas tij, është shumë tërheqës momentalisht, me të cilat po punojnë.
Pavarësisht goditjes, turizmi mjekësor do të ketë ditë të mira në vijimësi. Dr. Skerdilaj Faria, nga klinika “Keit”, thotë se, “fundi i vitit 2020 solli rritje të kërkesave për shërbime të ndryshme estetike, duke na bërë habi, pavarësisht situatës. Kërkesat nga turistë italianë nisën të rriten veçanërisht në muajt e verës”.
Gjithashtu, sikurse pohohet nga “Gremi Clinic”, klinika “Keit” apo edhe Spitali Amerikan dhe Hygeia, duke pasur stafin mjekësor të vaksinuar që në nisje të procesit të vaksinimit, ishte një formë shumë e mirë e tërheqjes së klientëve të huaj, gjë e cila ofron garanci. Këto struktura e kanë të mbyllur të gjithë zinxhirin e shërbimeve të turizmit mjekësor që ofrojnë, duke qenë se ofrojnë akomodimin, ngrënien etj.
Dritan Gremi shton, se paketa e plotë për to nuk ka ndryshuar as këtë vit, duke nisur nga pritja në aeroport, akomodimi, shërbimet dentare mjekësore, ushqimi në baret dhe restorantet, të cilat ofrohen me të njëjtën përkujdesje, për të mos rrezikuar askënd në këtë situatë delikate.
“Kur vijnë te ne, pacientët qëndrojnë të paktën 5-6 ditë çdo herë dhe jo të gjithë ditën e kalojnë në klinikë. Në varësi të kohës që ata kanë në dispozicion, ne organizojmë ture të shkurtra. Kryesisht në Tiranë, 20-30 minuta larg, si Petrela, Lundra, Dajti, etj., por i çojmë edhe në Durrës, Krujë apo Vlorë”, – thotë z. Gremi.
Ndonëse në Shqipëri nuk mund të flitej për një industri të mirëfilltë, hapat e viteve të fundit ishin përkrah progresit dhe vendi i vogël ballkanik po shndërrohej shpejt në një “pikë të nxehtë” për vendet e zhvilluara. Me gjithë profilin e saj të ulët në kujdesin shëndetësor ndërkombëtar, pikërisht 3 vitet e fundit nisi të ishte tërheqës për turistët. Fluturimet ndërkombëtare lidhin Aeroportin e Tiranës me pjesën më të madhe të destinacioneve në botë. Si dhe artikujt e shumtë në mediat e huaja, që e cilësojnë Shqipërinë si një vend pa rreziqe dhe me bukuri natyrore të jashtëzakonshme, patën ndikimin e tyre në këtë drejtim.
Por, pandemia paralizoi turizmin shëndetësor kudo në botë, efektet e së cilës u ndien edhe në vendin tonë. Situata u përkeqësua edhe nga gjendja e Italisë, e cila pësoi një goditje të fortë, duke marrë në konsideratë që shumica e klientëve të huaj që vijnë të marrin shërbime mjekësore janë pikërisht ata.
Me një rënie rekord në kërkesën e linjave ajrore, mbylljen e agjencive të turizmit mjekësor dhe vështirësitë financiare në shumë klinika private, turizmi shëndetësor mbeti në stanjacion kudo në botë.
Rikuperim pas pandemisë
Gjatë pandemisë, pothuajse të gjitha fluturimet ndërkombëtare u anuluan. Megjithëse ka pasur një rikuperim të ngadaltë të kërkesës për fluturime dhe kufizimet e koronavirusit u hoqën gradualisht, kërkesa mbetet shumë e ulët.
Sapo nisën të hapen agjencitë e para të ndërmjetësimit të shërbimeve shëndetësore, disa syresh u detyruan të mbyllen. Gent Dulja, themelues e drejtues i “Medical Tourism Albania”, thotë për “Monitor” se zyrat i mbyllën vitin e shkuar. Krahas pezullimit të udhëtimeve, pasigurisë së krijuar nga mungesa e informacionit vitin e shkuar, agjencia vuajti pasojat e para.
Erjona Shehu, menaxhere e “Health Tourism Albania”, pohoi gjithashtu mbylljen e agjencisë, pjesërisht prej situatës së pandemisë. Ajo shton, se u vu re një rritje e kërkesës për shërbime dermoestetike dhe kjo i shtyu që të fokusoheshin në këtë fushë. Megjithatë, vitin e shkuar nisën përpjekjet e para për rimëkëmbje.
Aktorë të shumtë të tregut mjekësor në vend pohuan se, ardhja e turistëve të huaj në situatën e pandemisë në Shqipëri, nga qershori i 2020, e në vijim, u mundësua nga disa faktorë kryesorë: të gjithë mund të udhëtonin me leje mjekësore, madje italianët e kishin më të lehtë të udhëtonin në Shqipëri, se sa mes zonash në Itali, ku shumica ishin ende “të kuqe”. Faktori i dytë ishte çmimi, në situatën e COVID-19, oferta turistike mjekësore ishte dukshëm më lirë në kuadër të tërheqjes së klientëve. Faktori i tretë ishte fillimi i vaksinimit.
Çfarë parapëlqehet?
Oriela Cano, drejtoreshë e Marketingut dhe PR pranë Amerikan dhe Hygeia, thotë për “Monitor” se, trajtimet më të zakonshme janë kirurgji kozmetike, kirurgji dentare dhe ortopedike. Ajo shton se, kërkesat për kirurgji kardiovaskulare, operacione laparoskopike dhe trajtime për fertilitetin dhe obezitetin janë në rritje.
Duke marrë në konsideratë situatën e pandemisë, znj. Cano shton se, turizmi shëndetësor pati rënie në të gjithë botën jo vetëm në Shqipëri, por sipas saj, disa shërbime si turizëm dentar dhe estetik nuk kanë qenë shumë të kufizuara. Madje dhe gjatë këtij viti, ka filluar të rritet ndjeshëm numri i vizitorëve për shërbimet që duan të marrin, sidomos ata afër rajonit.
Sa u përket klientëve, ajo shton se, përzgjedhja për shërbime shëndetësore, ka qenë jo vetëm nga pacientë me kombësi të huaj të cilët jetojnë në Shqipëri, por edhe nga një numër i konsiderueshëm pacientësh, të cilat jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe kanë zgjedhur dhe u janë drejtuar spitaleve të tyre për të marrë trajtim shëndetësor.
“Ndonëse ka një profil të ulët në kujdesin shëndetësor ndërkombëtar, Shqipëria është tërheqëse për turistët. Potenciali më i afërt i turizmit mjekësor janë fëmijët e emigrantëve, të cilët mbajnë kontaktet me vendin e tyre të origjinës dhe e vizitojnë shpesh, por jo vetëm, pasi pacientë të huaj kanë zgjedhur Spitalin Hygeia, për shkak të ekselencës së mjekëve dhe infrastrukturës spitalore” – thotë znj. Cano.
Ajo shton, se nga viti në vit, numri rritet, duke përmendur pacientët që vijnë për kirurgji plastike si për standardet, mjekët por edhe për çmimet. “Turizmi dentar, është shumë i zhvilluar, kemi pacientë nga shumë shtete të Europës që vijnë për shkak të çmimit, kohës së shkurtër dhe cilësisë së shërbimit.
“Fertilizimi IN VITRO, IVF është shumë i kërkuar nga pacientët shqiptarë që jetojnë jashtë, por dhe pacientë të huaj na zgjedhin, pasi cilësia e shërbimit është po aq e mirë sa ajo që ofrohet në klinikat më të mira perëndimore. Çmimet për një ndërhyrje të tillë janë disi më lirë krahasuar me tarifat e vendosura nga klinikat në Bashkimin Europian. Ndaj dhe në vendin tonë, nuk duhet të presësh në radhë e të vësh emrin në listë për një kohë të gjatë” – thotë ajo.
- Fekondimi In Vitro (ku Klinika e Fertilitetit Hygeia shquhet për rezultatet e larta të arritura me një përqindje suksesi ndër më të lartat në Rajon dhe më gjerë, 65% sukses në çiftet e trajtuara)
- Shërbimin Dentar
- Ndërhyrje të kirurgjisë Plastike
- Operacione Plastike
- Trajtimi me Radioterapi
- Hemodializë
Që nga krijimi i saj në 2009, klinika e z. Gremi ka trajtuar dhjetëra mijë pacientë. Pacientë që vijnë kryesisht për vendosjen e implanteve, protezave ose për zbardhjen dhe vendosjen e rimesave dentare.
Kirurgjia kozmetike, një ofertë e aplikuar më pas, po lulëzon, me shumë europianë perëndimorë dhe ballkanas në kërkim të plastikës së përsosur. “Rinoplastikat, rritja e gjoksit, por edhe ngritja e fytyrës dhe trupit janë më të kërkuarat ndër procedurat kozmetike” – thotë z. Gremi, i cili shtoi se shërbimet estetike i ofron në një klinikë tjetër.
“Në çmimin e trajtimit, ne përfshijmë fillimisht biletën e udhëtimit, të cilën nisëm ta aplikonim nga qershori i vitit të shkuar. Më pas, transportin në aeroport për ardhjen dhe nisjen, akomodimin për dy persona në një hotel, një përkthyes në frëngjisht, anglisht dhe italisht, si brenda klinikave, ashtu edhe gjatë kohës së lirë, për ture të ndryshme udhëzuese në Tiranë dhe rrethinat e saj. Jemi munduar që, koncepti që ofrohet të mos jetë ndryshe nga çdo vend tjetër në këtë segment të tregut.
Këtu, udhëtarët nga Franca, Zvicra ose Italia e gjejnë veten të zhytur në jetën e lagjes. Objektivi: të jetohet një përvojë gjithëpërfshirëse, që shkon përtej kujdesit dentar dhe estetik” – thotë ai. Z. Gremi rikujton, se sipas statistikave, një i huaj që vjen në Shqipëri qëndron mesatarisht 1.5 ditë, ndërsa në konceptin e turizmit mjekësor apo specifikisht atij dentar, ditët e qëndrimit janë nga 6-12 ditë. Kjo ndikon dukshëm në rritjen e ekonomisë vendase.
Kirurgjia plastike vijon të pozicionohet mirë në kërkesë, krahasuar me ndërhyrjet e tjera, sepse sipas aktorëve të tregut, emergjenca e një ndërhyrje të tillë nuk është e lartë, gjë që u jep mundësi atyre edhe që të argëtohen si turistë. Vitin e shkuar në Shqipëri, në sezonin e verës, nisën të vinin italianët e parë dhe përpos shërbimeve dentare, kirurgjia estetike vijon të jetë e preferuar.
SHIFRA
INSTAT raporton se pas rënies së numrit të të huajve që erdhën në Shqipëri për arsye mjekësore në 2018, viti 2019 pati një rritje të kërkesës me rreth 58%. Ndërsa shifrat e 6-mujorit të parë të vitit të shkuar, duke marrë në konsideratë edhe situatën e pandemisë, raportohet të jetë 37 persona. Aktorët e tregut pohojnë një numër shumë të lartë të raportuar në klinikat e tyre, si dhe sugjerojnë që të ngrihen struktura të posaçme nga shteti për të monitoruar hyrjet e të huajve për këtë qëllim, pasi ndikon në imazhin e vendit.
Problematika
Megjithëse nuk ka hapa të rëndësishëm të mbështetjes së qeverisë qendrore për të nxitur udhëtimin mjekësor në Shqipëri (vetëm një plan i mbetur në letër nga Agjencia Kombëtare e Turizmit i nisur në 2016), sektori privat i kujdesit shëndetësor nisi të marrë “masa”.
Para tre viteve filluan të themelohen agjencitë e para të nxitjes dhe ndërmjetësimit të turizmit shëndetësor në Shqipëri, të cilat patën një mbyllje të detyruar vitin e shkuar. Krahas kësaj, problematike mbeten: informaliteti dhe rritja e çmimeve fiktive për turistët e huaj, imazhi i Shqipërisë tek europianët dhe konkurrenca e fortë e aktorëve rajonalë, të cilët e kanë shtruar shumë më herët këtë rrugë si Kroacia, Bullgaria, Serbia etj. Edhe pandemia pati një ndikim në hezitimin e bizneseve, mbyllja e tyre në disa muaj me radhë uli kërkesën.