Me nr. 23 në fletën e votimit, kandidati i PS-së, në qarkun Tiranë Fatmir Xhafaj, synon të marrë mbi 10 mijë vota.
Është vetëm një nga strategjitë që Fatmir Xhafaj, kushtëzuar nga rregullat që i detyron pandemia, përveç takimeve fizike, të qëndrojë në komunikim të vazhdueshëm me zgjedhësit. Çdo ditë në zyrën e tij, kryen me qindra telefonata për t’i shpjeguar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes në zgjedhje.
“Kur unë filloj të flas, të gjithë te mua kanë një gjë të përbashkët: Ok, ok, lëri këto, por a do të shkojë deri në fund Reforma në Drejtësi? Jam i surprizuar sepse nuk e prisja që njerëzit të arrinin ta bënin këtë dallim, që është dallim thelbësor. Dhe kjo është shenjë pjekurie. Por, nga ana tjetër, është edhe një sinjal i fortë përgjegjësie dhe përgjegjshmërie për ne që jemi të angazhuar në këtë betejë dhe për të gjithë ata që mendojnë se që ky vend të bëhet, ka të domosdoshëm reformimin e drejtësisë, çuarjen deri në fund të këtij projekti kaq të rëndësishëm”, shprehet Xhafaj.
25 Prilli është një datë që do të përcaktojë të ardhmen politike të Fatmir Xhafaj. Si në asnjë proces tjetër zgjedhor, karrigia e deputetit, për njeriun kyç të reformës në drejtësi, ish-ministër i Drejtësisë dhe i Brendshëm është e varur drejpërdrejtë nga numri i votave që do të grumbullojë. I renditur i 23-ti në qarkun e Tiranës, Fatmir Xhafaj duhet të marrë mbështetjen e 10 mijë zgjedhësve.
“Vota për PS ka qenë dhe mbetet fokusi im kryesor. Pozicioni në listë mua më obligon pak më shumë se të tjerët që të luftoj për të siguruar votat e nevojshme për t’u përfshirë në listën fituese. Edhe këtë e kam shfrytëzuar për të shtuar vota për PS. Jam fokusuar te ata që janë të pakënaqur dhe që duke pëlqyer emrin tim, kandidaturën time, duke vlerësuar atë çfarë kam bërë unë, mund të jetë një arsye për të mos hezituar. U jam drejtuar edhe socialistëve, jam i fokusuar te grupet që kanë një lidhje më të drejtpërdrejtë me mua, për shkak të moshës, vendeve ku ka shërbyer”, thekson ai.
Njësia dhjetë për arsye se aty do të votohet dhe numërohet elektronikisht, do të jetë e para që në mëngjesin e të hënës së 26 prillit, do të shpallë rezultatin duke treguar pjesërisht tendencën e votës së shqiptarëve.
“I gjithë votimi për dikë është 4 sekonda, për dikë 4 minuta. Por në fakt, janë 4 vjet jetë. Nëse ti zgjedh një njeri që e percepton si të korruptuar, duhet ta mendosh xhepin tënd për 4 vjet pak më bosh. Nëse zgjedh një njeri luftëtar për kauzat e tua, do të mendosh që do të kesh edhe një ekip qeverisës, edhe një ekip përfaqësuesish që do t’i japin rrugë shpresës, besimit, ëndrrës tënde”, deklaron Xhafaj në një intervistë televizive.
/a.r