Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ftuar sot në “Open” ka komentuar dhe ngjarjen e fundit të ndodhur në Elbasan, ngjarje e cila përfundoi me një viktimë dhe katër të plagosur.
Basha tha se çdo gjë u iniciua nga bandat e Edi Ramës atje që i shërbejnë kryeministrit për të blerë vota. Kreu i PD shtoi se policia është fajtore që nuk vepron, duke deklaruar se ky institucion i është ulur në gjunjë kryeministrit, pasi është në presion.
Vasili: Një koment për këtë ngjarje, për ngjarjen e Elbasanit.
Basha: Jam shprehur disa herë qëkur ndodhi ngjarja, dhe në disa intervista, pa diskutim që është një ngjarje e rëndë, që nuk mund të veçohet nga konteksti. Për 8 vite Elbasani ka qenë në sundimin e bandave që i kanë shërbyer Edi Ramës për të mbledhur vota.
Bandat që morën pjesë në këtë ngjarje janë treguar prej javësh me emër dhe mbiemër, me targa makinash, ndërkohë që shteti është tërësisht nën gjunjët e tyre. Këta njerëz kanë dhunuar qytetarë në mes të ditës dhe policia nuk ka bërë asgjë. Një gjë është e sigurtë. Vota në 25 prill është vota për t’i dhënë fund Ramës dhe bandave të tij.
Pyetje: Duhet të kemi një dënim për vrasjen? Është vrasje politike, cili është qendrimi juaj? Po bëni vetëgjyqësi?
Basha: Nuk ka vetëgjyqësi, një person që është i dyshuar si një nga ata që kanë shtënë është vetëdorëzuar. Policia nuk ka zbardhur se kush ka shtirë i pari. Ku e dini ju si ka ndodhur ngjarja dhe vrasja? S’jemi ekspertë të balistikës ne.
/a.r