Një ngjarje e rëndë u regjistrua dje në Elbasan, ku si pasojë e përplasjes, ka ndërruar jetë Pjerin Xhuvani, i konsideruar mbështetës i Partisë Socialiste.
E ftuar në ‘Zgjedhje 2021’ nga Alban Dudushi dhe Pranvera Borakaj, në Vizion Plus, aktivistja dhe juristja Brizida Gjikondi u shpreh se kjo është e disata herë që fushata zgjedhore në Shqipëri lahet me gjak.
“Është e disata herë që fushata zgjedhore në Shqipëri lahet me gjak, gjë që nuk ndodh në vendet e tjera të Ballkanit.
Dhe kjo është skandaloze, të mendosh që ne kemi një standart të lartë evropian në mendësi në kulturë në të gjitha… dhe të mendosh që s’ka fushatë zgjedhore që të mos lahet me gjak.
S’ka fushatë zgjedhore që të mos përzihet krimi me politikën dhe s’ka fushatë zgjedhore që mos shihet kundërshtari politik si armik që duhet ekzekutuar.
Vetëm në Shqipëri të bën vaki që kundërshtari politik shihet si armik që ti duhet ta ekzekutosh, ta shuash, ta vrasësh, ta zhdukësh.
Janë interesa të forta mafioze, trafiku droge, trafiku interesash, premtime që i bëjnë njëri-tjetrit dhe gjithçka”, tha ajo.
Duke iu referuar Kushtetutës, Gjikondi kërkoi shkarkimin e presidentit Meta, pasi sipas saj, ky i fundit po thërret për gjak.
“Sipas Kushtetutës, neni 90, thuhet që në rast të shkeljes së Kushtetutës nga ana e Presidentit, ai shkarkohet.
Dhe në rast të kryerjes së krimeve të rënda. Ka dy raste. Unë nuk e di, a ka shkelje më të rëndë që bën presidenti Meta se sa ajo, që nga mëngjesi deri në darkë thërret vetëm për gjak, për nxitje, vëllavrasje, për prerje duarsh, prerje kokash…”
g.kosovari