Pas procedimit penal të nisur ndaj shtetasit turk Abdul Gafur Balikci, i cili i kishte dhënë para një vlonjati me qëllim që të siguronte disa vota për LSI-në, në Vlorë ka reaguar edhe kandidati i kësaj force politike, i renditur i pari në listë, Luan Rama.
Në një postim në facebook, Rama i ka kërkuar Prokurorisë që të zbardhë të vërtetën dhe të zbatojë ligjin, pasi sipas tij kjo është një përpjekje për të provokuar apo për të shantazhuar anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së.
Postimi i plotë:
25 prilli – dita e madhe e fitores:
PROKURORIA TË ZBARDHË TË VËRTETËN DHE TË ZBATOJË LIGJIN
Asnjë makinacion, asnjë përpjekje për të provokuar apo për të shantazhuar anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së, nuk mund t’i shpëtojë banditët e rilindjes nga humbja e 25 prillit.
Manipulimi mediatik i një lajmi të shitur qëllimisht nga segmente kriminale brenda strukturave të Policisë së Shtetit në Vlorë për shitje e blerje votuesish në emër të LSI-së nga ana e qytetarit Abdulgafur Balikçi, është vetëm përpjekja e rradhës që synon të trembë e frikësojë votuesit.
Abdulgafur Balikçi apo Gafuri siç e njohin në Vlorë është shtetas shqiptar, është qytetar shqiptar me origjinë turke që jeton dhe punon ndershmërisht me profesionin e tij si mjek stomatolog, i angazhuar me shumë pasion në rradhët e LSI-së pasi braktisi sektin e rilindjes, e mu për këtë arsye është vënë në qendër të këtij skenari përbaltjeje dhe manipulimi.
Organet e zbatimit të ligjit të kryejnë detyrën me korrekstësi.
Duke qenë besimplotë se prokuroria do ta zbardhë të vërtetën, besoj se do të marrë në përgjegjësi penale edhe oficerët e policisë që kanë ushqyer portalet me lajme të rreme e politikisht të paragjykuara, duke dëshmuar se militantët e rilindjes në rradhët e policisë së shtetit janë një segment kriminal i saj.
Nëse mjeku Abdulgafur Balikçi apo çdo qytetar tjetër është i implikuar në shkelje të ligjit, le të ndëshkohet sipas ligjit, por këtë nuk mund t’a bëjë policia duke shitur lajme të pa konfirmuara nga organi i akuzës dhe të pa vlerësuara nga gjykata.
I proceduari turk është Abdul Gafur Balikci, i cili është përkrahur publikisht edhe nga kandidati për deputet i LSI-së, në Vlorë, i renditur i pari në listë, Luan Rama. Ndërsa vlonjati i proceduar është Juriseld Mucaj, 24 vjeç.
“Top Channel” ka mësuar se shtetasi turk ka edhe një klinikë dentare në Vlorë.
Mësohet se gjatë ndalimit të tyre, u është gjetur një bllok me emra, të personave që dyshohet se do u blinin votën si edhe u janë sekuestruar telefonat celularë për shkak se ka pasur biseda që konfirmonin këtë vepër penale.
Dy personat po procedohen penalisht dhe çështja do të ndiqet nga SPAK, si kompetenti për hetimin e krimeve zgjedhore.
g.kosovari