Një 38-vjeçar është vënë në pranga nga policia pasi u kap duke transportuar 3 emigrantë të paligjshëm.
Shtetasi me inicialet F.M., banues në Korçë, u arrestua në afërsi të fshatit Gështenjas, duke transportuar me mjetin tip “Volkswagen” emigrantët.
Ai u kishte kërkuar atyre nga 1000 euro secilit, duke i’u premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Korçë dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit F. M., 38 vjeç, banues në Korçë.
Shtetasi i mësipërm, u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Gështenjas, Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Volksëagen” 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1000 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.
/a.r