Kryeministri Edi Rama tha sot se është i bindur që Partia Demokratike do t’i humbasë zgjedhjet. Por siç u shpreh ai, pret që kjo humbje t’i vlejë PD-së për të rishikuar vetveten.
Ai shtoi se çështja e patronazhistëve nuk duhet t’i shqetësojë qytetarët dhe se numri i ID është thjeshtë një e dhënë identifikimi.
Rama u shpreh se listat nuk i përkasin Partisë Socialiste, por në to janë bërë ndërhyrje. Ai garantoi se e-Albania nuk i ruan të dhënat e qytetarëve dhe si rrjedhojë lista nuk ka dalë nga portali në fjalë.
Kryeministri ritheksoi mendimin e tij se Lulzim Basha nuk është lideri real i opozitës, por një kukull në duart e Berishës dhe Metës.
Sa i përket ftesës për Bashën, për një bashkëpunim të mundshëm Rama tha: Unë dua që shqiptarët ta dinë se në mandatin e tretë unë do të kem një qasje përbashkuese.
“Por kjo thirrje nuk vlen për Ilir Metën. Ai thjeshtë duhet të largohet, të dëgjojë të bijën që i thotë eja në shtëpi” – shtoi Rama duke u shprehur se me Presidentin e sotëm e ndau Reforma në Drejtësi.
(JavaNews/a.r)