Emigrimi ilegal përmes Detit Mesdhe po u sjell përfitime marramendëse trafikuesve. Disa shifra janë dhënë nga kundëradmirali, Hervé Bléjean, i cili është numri dy i operacionit “Sofia”. I nisur në fund të qershorit të këtij viti nga Bashkimi Evropian, operacioni mobilizon 22 shtete anëtare dhe misioni kryesor i tij është lufta kundër rrjeteve të trafikuesve, të cilët organizojnë trafikimin e klandestinëve në Mesdhe.
Në një seancë dëgjimore në Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit, oficeri francez përmend shifra marramendëse.
Shuma që paguan një emigrant ndryshon varësisht nga mënyra e përzgjedhur e transportit. Rruga tokësore është më e shtrenjtë: 2.000 euro për person. Ndërsa, ajo përmes detit është më “ekonomike”.
Megjithatë, këtu çmimi varet nga varka me të cilën do të udhëtohet. Me gomone “bileta” për ta kaluar detin kushton ndërmjet 500 dhe 1.000 euro.
Ndërsa, udhëtimi me varkë të drunjtë kushton ndërmjet 1.100 dhe 1.300 euro për person, transmeton “Zëri”.
Ndërsa, çmimi fluturon për klandestinët që vendosin të rrugëtojnë me anije peshkimi. Ndërmjet 2.500 deri në 3.500 euro kërkojnë trafikantët për kokë emigranti.
Trafikimi i emigrantëve, në nivel “industrial” në Libi
Sipas këtyre të dhënave për çmimet del se trafikantët fitojnë shuma marramendëse. Sipas asaj që ka dëshmuar kundëradmirali Blejean, një gomone blihet 8.000 euro.
Duke e ditur se trafikantët në to hipin deri në 100 emigrantë, fitimi mesatar vlerësohet në rreth 67.000 euro për një varkë të tillë. Ndërsa, fitimi është shumë më i madh kur deti mësyhet me varkë të drunjtë, e cila kushton rreth 100.000 euro. Me 400 emigrantë të rrasur në to, trafikanti fiton mesatarisht 380.000 euro…
Aktualisht, dërgimi i emigrantëve në Evropë ka arritur në nivel industrial në Libi. Ky biznes përbën 30 deri 35 për qind të të ardhurave të realizuara në këtë vend. Si rezultat i kësaj, ndërmjet qershorit dhe gushtit rreth 760 emigrantë vinin për çdo ditë në brigjet italiane.
Numri i tyre ka rënë në 530 në muajin shtator, 290 në tetor, për të rënë në rreth njëqind në ditë në nëntor. Kjo rënie e vazhdueshme është rezultat i përkeqësimit të motit. Megjithatë, më 3 dhjetor, afro 2.000 emigrantë janë shpëtuar në brigjet e Libisë vetëm gjatë një dite. Ata kishin hipur në tri varka të drunjta dhe në tetë gomone.
“Njerëzit kanë nevojë të ikin, edhe në dimër”, ka komentuar organizata “Mjekët pa kufij” në llogarinë e vet në “Twitter”. Në të njëjtën ditë, OJQ-ja ka nisur operacionet e shpëtimit në Detin Egje, ndërmjet Turqisë dhe Greqisë, në bashkëpunim me organizatën “Greenpeace”.
Këtë vit, më shumë se 894.000 emigrantë kanë ardhur në Evropë përmes Mesdheut, prej tyre 144.000 përmes Italisë. Së paku 3.515 të tjerë janë mbytur ose konsiderohen të zhdukur, pjesa më e madhe e tyre në brigjet e Libisë.
Ndërsa, gjatë operacionit “Sofia” në Mesdhe janë shpëtuar më shumë se 5.700 emigrantë dhe janë arrestuar nja dyzet trafikantë të dyshuar.
ZËRI