Janë dashur më pak se 12 orë, që gjithë furtuna e ngritur nga opozita dhe Ilir Meta, për plagosjen e ndodhur në një zyrë të PD-së në Kavajë, të shuhet.
Autori i plagosjes, të cilin Grida me Lulzim Bashën e Ilir Metën nxituan ta cilësojnë si njeri të Edi Ramës, që kërkon t’iu mbyllë gojën demokratët e t’i frikësojë, rezulton të jetë demokrat.
Gjë që vërtetohet jo vetëm nga rrëfimi i tij, por dhe nga videot e fushatave ndër vite në Kavajë, kur vetë Lulzim Basha është pritur nga ai në dyqanin e vet.
Por çfarë ndodhi dje dhe pse opozita dhe Ilir Meta nxituan ta politizonin ngjarjen?
Vetë autori Ndriçim Jonuzi thotë se gjithçka ka ndodhur për motive banale, pasi personi i plagosur, i ka zënë rrugën një gruaje myslimane.
Ndërsa vetë i plagosuri thotë se konflikti ndodhi për parkimin e makinës, jo për politikë.
Gjë që edhe mund të mos jetë e vërtetë, por kjo gjë zbardhet kollaj nga Policia e Prokuroria.
Ajo që bie erë në këtë histori, është nxitimi i opozitës dhe Ilir Metës, për ta shpallur si krim elektoral.
Menjëherë sapo ndodhi plagosja, Grida Duma doli e foli për mediat me siguri të plotë, se ishte PS ajo që kishte plagosur simpatizantin e PD-së, ndërkohë që në fakt, ende nuk dihej asnjë rrethanë për ngjarjen.
Por Grida e kishte vendosur se ishte konflikt politik, pasi kështu iu intereson
Të njëjtën gjë bëri edhe Lulzim Basha, që shkoi me urgjencë në Kavajë e deklaroi se nga ngjarje të tilla, vijnë fitoret e mëdha, duke i dhënë kështu këtij konfilkti, dimensione gandiane.
Në fund shkoi edhe Ilir Meta, i cili do të donte që të shkonte më parë edhe se Basha, por ndodhej në Elbasan për të ngrënë një iftar dhe për t’i dhënë udhëzimet e fundit shtabit të LSI-së.
Edhe ai përsëriti se kemi të bëjmë me një konflikt politik, si të ishte prokurori i çështjes, jo presidenti i vendit, që duhet të bëjë thirrje për qetësi e vetëpërmbajtje, jo të nxisë agravimin e situatës.
Megjithatë, pavarësisht gjithë lumit të akuzave, edhe pse PS dhe vetë Rama kërkuan arrestimin e autorit dhe u distancuan nga kjo ngjarje, pasi nuk kishin lidhje me të, vetë autori ka sqaruar gjithçka, të paktën për lidhjet politike.
Ai është demokrat dhe e njohin të gjithë në Kavajë.
Tani, çfarë iu mbetet Gridës, Bashës e Ilir Metës, që u përpoqën të ngrejnë një furtunë të vërtetë, duke prodhuar një ngjarje të stisur?
A do të duhej të kërkojnë falje, se u nxituan me deklaratat e tyre?
Natyrisht një gjë e tillë s’ka për të ndodhur dhe kanë vendosur të heshtin. A thua se nuk ishin ata që dilnin e ulërisnin vetëm pak orë më parë, se po i vriste PS-ja.
(TemA)