Policia e Korçës ka vënë në pranga një 34-vjeçar nga Fieri, i cili u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm. Operacioni i koduar “Perimetri” u zhvilluar në aksin rrugor Korçë-Bilisht, pranë fshatit Cangonj, ku i riu po transportonte klandestinët kundrejt shumave të parave.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me shërbimet e “Frontex” dhe specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit P. L., 34 vjeç, banues në Fier.
Shtetasi i mësipërm u kap nga forcat e Policisë, në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Cangonj, Devoll, duke transportuar me një mjet furgon tip “Fiat” 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së”, thotë policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.
g.kosovari