Në Shqipëri prej më shumë se dy muajsh vijon rënia e rasteve të reja me COVID 19. Numri i viktimave po ashtu ka ardhur duke u reduktuar ndjeshëm, paralelisht me zvogëlimin e shtrimeve në spitale.
Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se në javën e fundit 13 Prill-19 Prill, numri i të infektuarve rishtazi ra me 31.7 përqind duke zbritur në kuotën e 1176 rasteve, niveli më i ulët javor që prej periudhës 6 Tetor -12 Tetor, të vitit të shkuar. E hëna shënoi një tjetër kuotë ditore prej 100 të prekurish, e cila nuk ishte regjistruar që prej 1 Shtatorit të vitit të shkuar. Rastet pozitive të konfirmuara u identifikuan, sipas ministrisë së Shëndetësisë, në 24 nga 62 bashki të vendit: 34 raste në Tiranë, 9 raste në Korçë, 6 raste në Kavajë, Gjirokastër, 4 raste në Fier, Lezhë, Vlorë, Librazhd, 3 raste në Elbasan, Has, Vorë, 2 raste në Shkodër, Kurbin, Berat, Sarandë, Gramsh, Skrapar, Poliçan, dhe nga 1 rast në Kukës, Lushnje, Mirditë, Tropojë, Mallakastër, Roskovec.
Rënie e fortë e rasteve nuk duket të jetë ndikuar nga testimet, të cilat u ulën lehtazi me vetëm gati 5 përqind gjatë javës së fundit, kur u realizuan në total 17.965 tamponë. Këtë e dëshmon dhe fakti se pozitiviteti (raporti mes rasteve të reja dhe testimeve) ra me 2.5 pikë të tjera përqindje duke zbritur në 6.5 përqind, një nga nivelet më të ulta që prej fillimit të pandemisë. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Një rënie e fortë u shënua gjatë javës së fundit edhe sa i përket numrit të jetëve të humbura. Në total u rregjistruan 26 viktima, ose gati 45 përqind më pak se java pararendëse (6 Prill – 12 Prill). Bëht fjalë për nivelin më të ulët që nga mesi i Tetorit të vitit 2020. Ndërkohë numri i të shtruarve në spitale vijoi tendencën rënëse, ndonëse me ritme më të moderuara. Të hënën numëroheshin 173 pacientë nga 204 të tillë që ishin të hënën e një jave më parë. Ndërsa ata që kanë qenë në gjendje të rënduar dhe janë trajtuar në terapi intensive janë reduktuar lehtazi.
Shqipëria po vijon me ritme të larta procesin e vaksinimit. Deri mbrëmjen e së hënës ishin realizuar gati 346 mijë vaksinime, ndërsa në total Shqipëria ka marrë deri më tani mbi 700 mijë doza të 4 llojeve vaksinash, nga Pfizer, te Astrazeneca, Sinovac dhe Sputnik V.
Për të ruajtuar situatën e favorshme, e cila mund të rrezikohet të marrë një kthesë negative për shkak të fushatës elektorale, autoritetet po përpiqen të frenojnë faktorët e jashtëm. Shqipëria ka vendosur të kufizojë që nga kjo e martë, hyrjet nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia për dy javët e ardhshme, pas përkeqësimit të situatës së Koronavirusit në këto dy vende dhe frikës së lëvizjeve masive për shkak të Pashkëve ortodokse në fillim të muajit maj. Vendimi u mor të hënën nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. “Afrimi i ditës së Pashkëve gjithmonë është shoqëruar me lëvizje të qytetarëve nga vendet fqinje, që mund të vendosin vendin në një situatë të rënduar epidemiologjike. Duke pasur parasysh dhe situatën tonë lokale, ku vendin e parë për numër rastesh të reja e zë Gjirokastra, pasuar nga Korça, mendojmë që duke filluar nga dita e nesërme të vendoset qëndrimi në karantinë dy javore për personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, deri në datën 3 maj. Do ta rivlerësojmë, në varësi të dinamikës së situatës, do ta vlerësojmë përsëri pas dy javësh”, deklaroi kryetarja e këtij Komiteti Mira Rakacolli.
Përmirësimi i vazhdueshëm i situatës ka shtyrë dhe në një lehtësim të kufizimeve sa i përket mësimit në shkollat e mesme. “Komiteti vlerëson se nxënësit e viteve të para dhe të dyta të shkollave të mesme, të cilët kanë qenë në mësim online, si rezultat i përmirësimit të situatës epidemiologjike në vend mund të fillojnë edhe mësimin në klasë, të futen në skenarin e kombinuar”, tha zonja Rakacolli./ VOA
g.kosovari