Policia shqiptare ka arrestuar shtetasin Italian Gabriele Tarroni Longinotti në Tiranë. Ai akuzohet për mashtrim ndërkombëtar ndaj kompanisë BP të cilës i ka vjedhur shumën prej 1 milion euro si dhe akuzohet falsifikim dokumentash bankare.
Krahas tij nën hetim është vënë dhe shoqëria GALA me seli në Tiranë me administrator po Gabriele Tarroni Longinotti.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, për shtetasin italian në kërkim G. L., 49 vjeç, i kapur nga shërbimet e P. K. K. Rinas, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Nga ana e saj, shoqëria BP shpreh vlerësimin për punën e shkëlqyer të bërë deri tani nga policia e shtetit dhe ka besim në rezultatin final të hetimeve, të cilat janë akoma në vazhdim nga autoritetet kompetente.