Sot do të zhvillohet fluturimi i parë në Aeroportin e Kukësit ‘Zayed, Flatrat e Veriut’, ku udhëtarët e parë do të jenë ‘çunat e Londrës’.
Avioni “Air Albania” do të nisen nga Londra ku do të marrë emigrantë shqiptarë në Britaninë e Madhe dhe do të ulet në Aeroportin e Rinasit.
Më pas nga Rinasi në avion së bashku me udhëtarët do të hipi edhe kryeministri Edi Rama dhe më pas do të bëhet ulja në pistën e Aeroportit të Kukësit. Destinacionet e para të fluturimeve në Aeroportin e Kukësit do të jenë me disa qytete të Zvicrës, Gjermanisë por edhe Italisë.
Një ditë më parë Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se ky aeroport do të sjellë një nxitje të ekonomisë dhe punësimit për të gjithë rajonin e veriut. Kryeministri Edi Rama tha më herët se ky fluturim do të jetë simbolik dhe më pas Aeroporti do të nis me fazën e certifikimit ndërkombëtar që do të duhen edhe disa muaj që ajo të nis punën.
“Aeroporti ka përfunduar. Aeroportet gjithmonë kur përfundojnë bëjnë fluturimin simbolik, 1, 2, 3 fluturime dhe pastaj futen në fazën e certifikimit ndërkombëtar duke marrë gjithë licencat, etj.
Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed-Flatrat e veriut” do një pistë prej 2.2 kilometrash dhe kullën e saj të vrojtimit, ndërsa në pjesën e vendqëndrimit të avionëve, është projektuar për të mbajtur 3 avionë njëkohësisht, ndërkohë që brenda një ore mund të nisen 4 avionë nga aeroporti i Kukësit.
Sakaq, dhjetra qytetarë, nga Burreli, Kukësi, Peshkopia si dhe nga Kosova, janë mbledhur ditën e sotme, për të parë inaugurimin e aeroportit të Kukësit. Me daulle dhe plot entuziazëm disa prej qytetarëve thonë se po presin të afërmit e tyre, e ndërsa të tjerë thonë se kanë dalë vetëm për kuriozitet.
‘Jam nga Burreli! Presim nipin tonë që vjen nga Londra! Nuk e dimë se për kë do të votojë ai, por ne kemi 10 vite që nuk e shohim në sy. Do të ketë shumë zhvillim për zonat e veriut në Shqipëri.’– tha një qytetar.
‘Kam ardhur nga Prizreni, për të parë sesi është ndërtuar.’- tha një tjetër.
‘Hallall ja boftë zoti Edi Ramës dhe qeverisë së tij do të ketë shumë zhvillim edhe për zonën e veriut edhe për Kosovën. Me këtë kryeministër zoti ja boftë jetën 1000.’-tha më tej një qytetar.
‘Vijmë nga Peshkopia për inaugurimin e aeroportit më të bukur në vend.’- u shpreh një tjetër./ b.h