Legjendat thonë se në majën e Pashtrikut, nga e cila mund të shohësh si Kukësin ashtu edhe Prizrenin, mund të prekësh qiellin.
E në fakt, qiellin kuksianët e kanë prekur më herët se gati të gjithë të tjerët.
Në kohën e Mbretit Zog, në një fushë të njohur si Fusha e Meteorit dhe më pas edhe si fusha e Ballonave, u ndërtua në vitet 1930 një pistë rudimentare, e cila priste avionët e parë.
Udhëtimi me aeroplanët e kohës, 120 kilometra vijë ajrore nga Tirana zgjaste një orë dhe kushtonte diçka më pak se një frangë ari.
Pas pushtimit të vendit nga italianët, në vitin 1939 filloi zgjerimi dhe përforcimi i pistës, me qëllim pritjen e avionëve ushtarakë.
Dashuria e shkurtër e Kukësit me qiellin u ndërpre brutalisht gjatë kohës së komunizmit.
Për shkak të afërsisë së tij me Jugosllavinë, regjimi e konsideronte të paarsyeshme ndërtimin e një piste ushtarake në një zonë të arritshme nga artileria jugosllave matanë kufirit.
Për këtë arsye, përpos Rinasit, që shërbente në dy kapacitete, edhe si aeroport ushtarak, edhe si aeropot civil, u ndërtua bazat moderne në Gjadër Lezhë, Kuçovë, që iu bashkangjitën një serie pistash rudimentare apo pjesërisht moderne të ndodhura në Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë.
Pas rënies së regjimit, ideja e një piste në Kukës lindi së bashku me eksodin kosovar të vitit 1999.
Gjatë krizës së Kosovës, në pranverën e vitit 1999, fusha e aeroportit të Kukësit iu nënshtrua punimeve, që lejuan zbritjen e disa avionëve me ndihma.
Në atë kohë, sheikut emrin e të cilit aeroporti mban, “Zayed”, dhuroi rreth 20 milionë dollarë për ndërtimin e një aeroporti modern.
Pista u asfaltua dhe u ndërtua një godinë dy-katëshe që duhet të shërbente si terminal, por aeroporti asnjëherë nuk u bë funksional.
Në ardhjen e qeverisë Berisha në vitin 2005, u krijua një masterplan i cili parashikonte që përveç Rrugës së Kombit, të përfundonte edhe aeroporti i Kukësit, që do t’i shërbente të dy vendeve tona me fluturimet e tij.
Qeveria e kohës madje shkoi deri atje sa i kërkoi një fond të ri sheikut Zayed, i cili tregoi zemërgjerësinë e tij duke dhuruar edhe 5 milionë dollarë shtesë, me të cilët duhet të përfundohej puna për kompletimin e aeroportit.
Diçka e tillë jo vetëm që nuk u realizua, por Kukësit iu prenë krahët nga koncensioni i Rinasit, kur shteti shqiptar përveç aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend, i dhuroi koncensionarit edhe hapësirën tonë ajrore duke penguar hapjen e një aeroporti të ri.
Ideja për një aeroport në Kukës u rikthye në tavolinë në vitin 2016, por përreth dy vjet u desh të pritej deri sa koncensionari i Rinasit të pranonte rinegocimin e një kontrate shumë fitimprurëse për të, me qëllim hapjen potenciale të një aeroporti të dytë në vend.
Punimet për aeroportin e Kukësit nisën me intensitet në fund të vitit 2019 dhe përfunduan në fillim të vitit 2021. Në total, u shpenzuan 22 milionë euro, duke nisur që nga zgjatimi dhe rehabilitimi i pistës ekzistuese, rrugët e shërbimit, magazinat, godina e zjarrfikësve, ajo e policisë, parkingu i avionëve, parkingu pasagjerëve, projekti i drenazhimit dhe çdo investim tjetër është kryer në kohë rekord, në vetëm një vit kalendarik.
Ditën e sotme, ashtu si gati 90 vjet më parë, qielli i Kukësit rikthehet të presë përveç legjendave, edhe linjat moderne, duke nisur nga fluturimi i sotëm Kukës-Londër.
Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit është konceptuar si një aeroport loë cost dhe do t’i ofrojë pasagjerëve që do të fluturojnë nga ky aeroport destinacione të tilla si Bergamo, Verona, Bologna, Memingem, Shtutgart, Zyrih, Basel, Milano, Bermingen, Londër, Stokholm.
Në total, ky aeroport pritet të punësojë 710 persona direkt dhe 2 mijë të tjerë indirekt, pa llogaritur punësimin e shtuar nga turizmi, rritja e mobilitetit, etj./ Lexo.al