Në kuadër të kontrolleve nga Policia Rrugore me qëllim parandalimin e aksidenteve, gjatë 24 orët e fundit janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, 3 prej të cilëve ishin në gjendje të dehur dhe 3 tjerë nuk posedonin leje drejtimi.
Polica Rrugore ka pezulluar 78 leje drejtimi, nga të cilat 63 për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 15 në drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Për 1.679 drejtues mjetesh janë vendosur masa administrative, , kryesisht për parakalime të gabuara, shpejtësi tej normave të lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, shkelje të semaforit, mosvendosje të rripit të sigurimit apo të kaskës mbrojtëse etj.
Policia Rrugore tërheq vëmendjen e drejtueseve të automjeteve që të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, të mos qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit, të vendosin rripin e sigurimit, ndërsa drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskat mbrojtëse, pasi do jenë në fokusin e kontrolleve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin, me të gjitha mjetet logjistike që ajo ka në dispozicion.
Të gjithë drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe biçiklistët, por dhe këmbësorët duhet të tregojnë kujdes maksimal përgjatë fundjavës, për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, pasi trafiku në shumë akse rrugore do jetë i ngarkuar për shkak të lëvizjeve nga Tirana në drejtim të zonave të tjera./ b.h