Zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, në një lidhje direkte me studion e “Dita jonë” në A2, u shpreh se jemi në situatë të qëndrueshme pandemike, me tendencë në rënie të rasteve të konfirmuara.
“Ka incidencë në rënie të rasteve të shtrimeve në spitale. Është situatë e qëndrueshme, por nuk duhet ulur vigjilenca. Edhe pse vaksinimi vijon intensivisht, duhet të vazhdojë zbatimi i masave”, theksoi Tomini.
Kur u pyet mbi vaksinat që po përdoren në vendin tonë, Tomini deklaroi: “Vlerësimi i proceseve pas vaksinimit nuk bëhet në një ditë. EMA, edhe pse e certifikoi vaksinën AstraZeneca për shembull, e pezulloi më pas. Çdo vaksinë ka efektet e veta të padëshiruara, të vogla apo të mëdha. Vaksinat aktuale nëpër botë, dhe në Shqipëri, kanë objektiv që të ulin efektet e formave të rënda, të ulin vdekjet dhe t’i japin imunitet popullatës. Ne sigurisht që do të kemi imunitet dhe ulje të rasteve të rënda”.
Ndërsa, sa i përket efektivitetit të vaksinave kineze, Tomini u shpreh: “Efektiviteti i vaksinës është i ndryshëm, sipas studimeve klinike të deritanishme. Në Turqi, efektiviteti është matur në 86,5%, ndërsa në Brazil është 50,6%. Por, është shumë e rëndësishme të bëhet dallimi se në cilin moment të ecurisë së pandemisë është kryer vlerësimi i efektivitetit”.
g.kosovari