Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ftuar në studion e emisionit “Real Story”, në “News 24”, tha se deklaratat e bëra nga Ambasadorja e SHBA në Shqipëri një ditë më parë, janë keqkuptuar nga kampi opozitar.
Balla theksoi se investimi më i madh i SHBA në Shqipëri është Reforma në Drejtësi, e sipas tij, nëse PD rikthehet në pushtet, ky proces jo vetëm ndalon, por do të kthehet mbrapsht.
“Unë mendoj që ju e sqaruat më mirë se unë dhe zonja Kim e ka sqaruar shumë mirë turravrapin e personave që janë në listë pagesat e PD për ta drejtuar mesazhin e saj në drejtim të gabuar. SHBA investimin e tyre më të madh është Reforma në Drejtësi. Nëse Berishës dhe Metës do i jepej mundësia, Reforma në Drejtësi jo vetëm që ndalon, por kthehet mbrapsht. Çuarja në stacionin final të Reformës në Drejtësi do të vazhdojë edhe në 4 vitet e ardhshme.
Prandaj PS ka mbështetur ndryshimin në Kushtetutë dhe Kod Zgjedhor dhe e konsideroj këtë hap të madh që qytetarët të nxiten të ndryshojë renditjen që kanë vendosur partitë. Listat jo vetëm që janë të hapura, por më 26 apo 27 prill do të kuptojmë që politika në Shqipëri do të jetë ndryshe. Në përgjithësi Partitë politike nxiten të kenë përfaqësues të komuniteteve. Në qarkun e Elbasanit kandidatët janë aty sepse përfaqësojnë një krahinë apo zonë të caktuar, të gjithë janë të përfaqësuar.
Edhe në listën e Durrësit. Në Tiranë ndiqen parime të ndryshme të listës, në varësi dhe të vlerës elektorale që kanë kandidatët. Ajo që dua të nënvizoj është fakti që Shqipëria nuk mund të quhet ndryshim një votë për Sali Berishën, kështu e kuptoj unë. Më 31 mars, kishim 30 vjetorin e zgjedhjeve të para pluraliste, jemi 30 vite pas dhe nuk e di pse Berisha mban peng PD. Ajo që do të përcaktojë është vota e qytetarëve shqiptarë, jam krenar që kam mbështetur këtë hap të rëndësishëm që bëri Shqipëria, nëse numrat do të na lejojnë në katër vjeçarin e ardhshëm, për të bërë reforma më të thella politike, edhe për formësimin e listave, por edhe numrin e 140 anëtareve në Kuvend”, u shpreh Balla.
g.kosovari