Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Apelit Tiranë, Elbana Lluri. Sipas ankesës vendimi është i cënueshëm në tërësinë e tij.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim të plotë të rezultateve të hetimit administrativ për subjektin e rivlerësimit, të vendosë, në mënyrë alternative, lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose ndryshimin e tij.
Vendimin për konfirmimin në detyrë të Llurit e dhanë trupa gjyqësore e përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Roland Ilia anëtar. Lluri u hetua për të tre kriteret e vetingut- përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Gjatë procesit administrativ në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme përfaqësuesja e ONM-së Maria Tuma.
Elbana Lluri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Tiranës. Prej vitit 2016, Lluri e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Njoftimi i polotë:
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 342, datë 2.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, në vlerësim edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 342, datë 2.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim të plotë të rezultateve të hetimit administrativ për subjektin e rivlerësimit, të vendosë, në mënyrë alternative, lënien në fuqi të vendimit nr. 342, datë 2.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose ndryshimin e tij.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi bashkë me rekomandimin e ONM-së janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë./ b.h