Në zonën e Ranës së Hedhun në Lezhë nuk do të regjistrohen të gjitha tokat. Kështu deklaron kreu i kadastrës Artan Lame sipas të cilit personat që kanë ndërtuar pa leje nuk do të përfitojnë legalizim të pronës.
“Janë të gjitha mish-mashet e mbivendosjeve në vite të titujve të ndryshëm të pronësisë. Aty ka toka që mund të regjistrohen, toka që nuk mund regjistrohen dhe që nuk do të regjistrohen kurrë sepse janë në vijën e parë të bregdetit. Ka dhe toka mes palësh që duhet të shkojnë patjetër në gjykatë dhe ta zgjidhim me njëri-tjetrin”, tha Lame.
I pyetur nga Klan News për legalizimin e pronave në zonën arkeologjike të qytetit, Lame u shpreh se po bëhet përfshirja e tyre në një regjistër.
“Do të regjistrohen të gjitha objektet që nuk mund të legalizohen dhe në momentin që arrin zbatimi i projektit në atë zonë, ata dëmshpërblehen për investimin e bërë. Nëse toka është e tyre do të shpërblehen edhe për tokën”, u shpreh Lame.
Këto deklarata Artan Lame i bëri pas një takimi në Lezhë me drejtorët e kadastrës në veri të vendit.
/a.r