Vihet në pranga personi i shpallur në kërkim policor ditën e djeshme, si bashkautor në vrasjen me armë të shtetasit Xhetan Konesha.
Si rezultat i kontrollit të pandërprerë dhe krehjes së zonës nga strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, për kapjen e bashkautorit të vrasjes së 50-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shtetasi Altin Mera, në pamundësi për të qëndruar i fshehur dhe për t’u larguar, iu është vetëdorëzuar forcave të Policisë.
Ky shtetas qëndronte prej ditës së djeshme i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, ka dalë nga banesa dhe është vetëdorëzuar para shërbimeve policore që po kryenin kontroll në atë zonë.
Nga hetimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, dyshohet se dy vëllezërit, shtetasit Muhamet Mera, i arrestuar nga Policia menjëherë pas ngjarjes dhe shtetasi Altin Mera, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i lagjes Koneshe”, Njësia Administrative Luzni, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xhetan Konesha, 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në spital. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
/a.r