Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, nga Njësia 1 në Tiranë ka sulmuar sërish kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Rama tha se Basha gjatë kohë që ishte në krye të Bashkisë Tiranë nuk bëri asnjë punë.
Më tej ai u shpreh se kreu i demokratëve premton vetëm Lekë, ndërsa ai vetë premton punë.
“Erioni përmendi disa gjëra që nuk bëri Luli kur ishte në krye të bashkisë. Kur Lulzim Basha doli në atë garë premtonte nënë e babë kur thonë. Më kujtohen dy premtime spektakolare, do ndërtoj tramvajin e Tiranës dhe do të ule çmimin e bukës. Ishin premtime të bëra pa iu dridhur qerpiku. Këto premtime i bën dhe sot. Sy më sy duke kapur bukën dhe duke u thënë se do ulte çmimin e bukës dhe do i shikonte prapë në sy. Kur mori të drejtën për të drejtuar bashkinë e Tiranës, nuk pa më asgjë se sytë u mbyllën për gjumë. Ishin 4 vite të humbura, Tirana u kthyer tek plehrat, tek çerdhet dhe kopshtet që u katandisën në pikë të hallit, pa folur për trafikun. Dëgjoni se çfarë thotë sot. Lekë, Lekë, Lekë, të gjithë u premton Lekë. Ndërsa unë them punë, punë, punë“, tha Rama.
Më tej Rama e ka krahasuar Bashën me Xhaferrin e firmave piramidale të vitit 1997.
/a.r