Për shkrimtarin Ismail Kadare ka qenë një tjetër kohë për rrëm, këtë herë në Vlorë, mes gjimnazistëve vlonjatë, në një takim të organizuar nga poetja Alisa Velaj.
Kadare iu përgjigj pyetjeve të të rinjve rreth krijimtarisë letrare.
“Jeni ju lexuesit që vendosni fatin e shkrimtarëve, të veprave, të titujve dhe ne shkrimtarët, pavarësisht se mund të kemi një pamje shpërllëse, që merret si mendjemadhësi, pasi mund edhe të thonë, ‘po këtij ç’i duket vetja’, e kemi mendjen te ju dhe, pa e pohuar, themi me vete: Ç’mendon lexuesi për këtë libër që krijova e botova, që ma quajtën kështu e ashtu etj.”, tha ai ndër të tjera.
Një ndër pyetjet lidhej me tentativat për arratisje dhe arsyet që e mbanin lidhur dhe e kthenin në Shqipëri. Çarë ndodhi herën e tretë kur u largua përfundimisht.
Ç’rol ka vendlindja në krijimtarinë tuaj?
Gjirokastra është qyteti im i lindjes dhe qyteti i lindjes, për shkrimtarët, merr pjesë në fatin e tij, ka pjesë do apo nuk do ai, ka pjesë në kujtimin që lë pas; do apo nuk do ai ka pjesë se s’bën në veprën e tij. Kështu që edhe unë nuk bëj përjashtim, pavarësisht se sa e pranoj, pasi edhe unë ndonjëherë mund të kem ndonjë dell jo të mirë dhe të kundërshtoj gjëra që nuk kundërshtohen dot dhe të duartrokas gjëra që nuk duhen duartrokitur dhe të bëj gabime njerëzore.
Ndaj edhe quhen të tilla, sepse i falen njeriut. Midis jush dëshiroj të jem i hapur edhe i sinqertë, edhe pse këto që thashë nuk janë të thjeshta, sepse është shumë më e thjeshtë të jesh i mbyllur, jo fort i çiltër, sepse e zotëron më mirë bisedën, por këto janë koncepte morale që kanë të bëjnë me të gjithë historinë njerëzore dhe nuk jemi këtu për t’i rishqyrtuar. Jam i gëzuar që jam mes jush, pasi jam në një truall të vërtetë, ku vetë libri ynë, fama jonë si shkrimtarë, qoftë e mirë apo e keqe, e merituar apo e pamerituar deri në fund.
Një shkrimtar do të qe i metë nga mendja po të mos përtonte nga kjo, por nuk është e lehtë. Mund ta kuptosh gabim një takim letrar, pasi lexuesi luan një rol shumë të madh në zhvillimin e një letërsie kombëtare kudo në botë dhe pa dyshim në Shqipërinë tonë, që ëndërron, shpreson, mëton të hyjë në Europë.
Si është Vlora brenda jush, para dhe pas viteve ’90?
Vlora është një qytet i madh, i rëndësishëm, kryesor dhe, për një shkrimtar të shquar, qytete të tilla kanë një rëndësi shumë të madhe për formimin e tyre, jetën e veprës së tyre, jetën fatlume ose fatkeqe të verës, sepse lexuesi, ashtu siç të mban gjallë, të jep gëzim, zjarrmi për të jetuar, ashtu edhe ta merr atë, edhe pse ndoshta ai nuk e thotë direkt, por ka mënyrën e vet për të shprehur distancën me shkrimtarin; nuk e pëlqen, nuk i ngroh zemrën; i qe dukur dikur se qe diçka e madhe, por nuk është ashtu, madje më keq se aq etj.
Por, ama, ne shkrimtarët i dimë ose i ndiejmë këto. Ndjesia e shkrimtarit është e jashtëzakonshme, por nuk shprehet thjesht me fjalë. Pjesa më brilante e një letërsie është ajo që nuk thuhet. Edhe shkrimtarët e kanë të vështirë të shpjegojnë marrëdhënien e tyre me lexuesin. Vlora ka qenë e rëndësishme për mua në mënyrën më të komplikuar që mund të shpjegohet, sikurse edhe Gjirokastra, qyteti im i lindjes.
Po ta lexoni në “Kronikë në gurë”, nuk të duket simpatik, por ai është qyteti im dhe unë jam i lidhur me të, i pandarë prej tij, nuk kam shkruar për ta ngritur apo për ta ulur, por kam shkruar si për qytetin ku kam lindur, ku kam rrënjët e mia dhe prandaj, kurdoherë që vij në qytete të ngjashme jam me ndjesinë për të thithur gjithçka nga ai qytet. Vlora ka luajtur rol në veprat e mia, në përfytyrimet e mia dhe në gjërat e mëdha që kam besuar dhe nxjerrë nga vetja.
Ç’mund të na thoni sot për gurat e gjeneralit dhe priftit në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”?
Janë ca ligje të fshehta që e udhëheqin shkrimtarin dhe që janë të detyrueshme për ndërgjegjen e tij, për të ardhmen, për një lloj profecie, se do të vijë një ditë që do të dalë nëse është e drejtë, e padrejtë, nëse i qëndron kohës. A mund të jetë njeriu ai që ka qenë? Asgjë nuk mund të jetë si ka qenë dhe shkrimtarët nuk bëjnë përjashtim, por ne e kemi fatin e lidhur me librat që kemi shkruar dhe dilemat tona janë të ndrydhura në to dhe
çfarëdo që mund të them unë sot dhe ndjesitë që mund të keni ju, unë do ta përjetoj në gjithë jetën time. Kjo nuk na thyen shpirtërisht. Atë që e kemi bërë, e kemi bërë me ndërgjegje dhe do ta mbrojmë gjithë jetën.
Si ka ndikuar diktatura në veprën tuaj, ç’mund të kishte ndodhur nëse nuk do kishte ekzistuar?
Askush nuk mund ta dijë enigmën se nga vjen shtysa në kokën e një shkrimtari për të bërë letërsi. Ajo ndodh dhe është një fat i madh. Është magjia e letërsisë që idetë dhe fantazinë e bëjnë që ato të mpiksen dhe të kenë vlerë.
Kjo është diçka hyjnore. Një njeri që arrin të jetojë te njerëzit e kombit të vet apo të kombeve të tjerë, jo vetëm në një epokë, por në epoka të ndryshme, është një shkrimtar me fat të madh, të komplikuar, të dyshimtë, që ndoshta është më mirë të mos e dijë…
E mira e kësaj gjëje është që ne shkrimtarët jetojmë për këtë dhe vepra jonë vlerësohet nga mijëra kokë të tjerë njerëzish, siç gjykohet ndërgjegjja, që askush nuk mund të mburret se e zbërtheu deri në fund. Ne jetojmë me këtë mister, që askush nuk di të thotë pse është kaq i thellë, pse është kaq njerëzor, pse është kaq i pashmangshëm.
A do t’i shërbejë “Kohë për rrëm” studiuesve të veprës suaj?
Këtë askush nuk mund ta dijë. Kjo ltrohet me kalimin e kohës, stinëve, shekujve. Këto ndihmojnë për të kuptuar thellësinë apo cektësinë e depërtimit të shkrimtarit në ndërgjegje. Kjo nuk verikohet brenda një stine letrare. Kjo është e bukura e artit të madh, që njerëzimi e ka shumë të pakët. Vlerat e tij ndonjëherë duan shekuj që të verikohen. Njerëzimi ka një intuitë të jashtëzakonshme për të zgjedhur artin që ka krijuar vetë, sepse në fund të fundit atë e krijon njerëzimi.
Ishte përdorimi i miteve dhe baladave një mënyrë për t’i shpëtuar diktaturës apo gjetje stilistike?
Arti ka një cilësi të veçantë që është engjëllore dhe diabolike njëkohësisht, që të mos e zbulojë lehtë atë që duhet zbuluar me vështirësi. Nuk mund t’jua them ndjesinë kur shkruaja nën diktaturë. Kam qenë një artist i lumtur.
Çfarë mendoni për letërsinë e viteve ’30, që ndryshe nga brezi ynë, e vetëpranonin dhe e promovonin njëri-tjetrin?
Asnjë vlerë nuk zhduket, kurrë. Ajo ka forma të vështira të ekzistencës, që rrezikojnë, që ndihmojnë vdekjen e saj, por arti ka mënyrat e veta se si mbijeton. Art bëhet në çdo kohë, edhe atëherë kur duket se po jep shpirt. Mund të japë një shkëndijim të madhe idesh dhe vlerash. Ndaj dhe ne shkrimtarët jemi të lumtur kur e kuptojmë se do të jetojmë dhe fatkeq kur e kuptojmë të kundërtën. Kjo është sa e dhimbshme, aq edhe e bukur në fatalitetin e vet.
A është studiuar mjaftueshëm letërsia e viteve ’30?
Jo, nuk është studiuar mjaftueshëm. Letërsia e viteve ’30 ka bërë një seleksion madhështor, nderon çdo komb, çdo vend dhe kur asim për një vend që do të shkojë në Europë, një nga argumentet më të forta, bindëse, është letërsia shqipe, që e nderon atë para kombeve të tjera.
Çfarë e shtyn një autor të rishikojë veprat e tij?
Vepra është një qenie e gjallë që ti e hedh mes mijëra ndërgjegjeve njerëzore dhe ajo vazhdon evoluimin e saj dhe nuk e ndal asgjë, ndaj dhe ne nuk i kërkojmë dot llogari për asgjë.
A ka ndikuar censura në krijimtarinë tuaj?
Sigurisht që ka ndikuar, por nuk dihet nëse për mirë apo për keq. Shtypja, tmerri, është një ndjesi shumë e fortë, e cila mund ta stimulojë një vepër apo ta pengojë atë. Fakti që nuk më ikte dëshira për të shkruar, më gëzonte. Unë besoja te diçka e gjallë, që nuk vdiste, që unë isha bir i saj, isha shërbestar i saj. Do ishte mendjelehtësi nga ana ime të thosha sa mirë që ndodhi kështu.
Jeni përpjekur të largoheni nga Shqipëria tri herë, përse nuk u arratisët dy herët e para, por në vitet ’90?
Është ajo dilema që ka torturuar mijëra shkrimtarë në shekuj: të iki, apo të mos iki nga Shqipëria. Ka qenë vërtet shumë tragjike kjo dilemë. Kush e paguan, është e durueshme apo e padurueshme në ndërgjegjen tënde. Tri herë kam menduar të arratisem, por 130 herë e kam menduar dhe kam pasur këtë dilemë. Në vitet ’90 nuk ishte
tamam një arratisje. Ishte thuajse gjysmëlegale. Madje, me veten time nuk e përdorja fjalën arratisje, por do kthehem apo nuk do kthehem. E shmangia, sepse arratisja në Shqipëri ishte e llahtarshme, ishte vdekje, ishte njëlloj si të sillje vdekjen në shtëpinë tënde, te të afërmit, te diçka që e kishe të shtrenjtë në këtë jetë. Unë nuk e doja këtë.
Pra, e gjitha ishte për shkak të tmerrit të pasojës, ç’do të ndodhte. Kur unë u largova, nuk ishte më e njëjta situatë, ishin zbutur kushtet dhe kjo e ndihmoi ikjen time: zbutja e dënimit. Kur doja të ikja në ’83-shin, e kisha vendosur dhe u thashë disa shokëve të mi. Njëri prej tyre ishte Dhori Qiriazi, madje nuk ia thashë as Helenës.
Nuk doja ta vija në rrezik, sepse e dija që ajo nuk do të më kundërshtonte, ajo s’më kundërshtonte asnjëherë për gjëra madhore. Unë ika dhe kur mora nënën në telefon. Ajo, me të folurën gjirokastrite, më pyeti: “Pse u ktheve ti? Thaçë se nuk do ktheheçe më”. Nëna, me atë intuitën e saj, e kishte kuptuar që unë nuk do të kthehesha.