Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka reaguar pas shkrimit të publikuar lidhur me përdorimin e të dhënave për rreth 900 mijë qytetarëve për qëllime elektorale. Në një reagim zyrtar, AKSH ka hedhur poshtë akuzuar se të dhënat që disponon si institucion të jenë përdorur nga partitë politike për qëllime elektorale.
Duke sqaruar se të dhënat e qytetarëve nuk ruhen, përpunohen apo administrohen.
“Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit garanton qytetarët shqiptarë se në asnjë rrethanë të dhënat e disponuara nga AKSH-i as nuk janë përdorur, po as nuk mund të përdoren teknikisht nga partitë politike ose vetë qeveria për qëllime politike apo elektorale,”- thuhet në reagimin e AKSH.
REAGIMI I PLOTË:
Suksesi i e-Albania me digjitalizimin e shërbimeve publike njihet dhe vlerësohet nga e gjithë bota përmes institcioneve ndërkombëtare si OKB, OECD, BE dhe DASH. Sulmet e Partisë Demokratike ndaj platformës e-Albania, e cila siguron shërbimet publike online për qytetarët janë të pabaza. Ne e kuptojmë se PD është në fushatë por kjo nuk justifikon sulmin politik ndaj një institucioni që është kryekëput në shërbim të qytetarëve.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit garanton qytetarët shqiptarë se në asnjë rrethanë të dhënat e disponuara nga AKSH-i as nuk janë përdorur, po as nuk mund të përdoren teknikisht nga partitë politike ose vetë qeveria për qëllime politike apo elektorale. E-albania në asnjë moment nuk ruan, administron apo përpunon të dhënat e qytetareve. Kjo është e treguar qartë edhe në ndërfaqen e portalit.
Të dhënat mbahen dhe administrohen nga bazat e të dhenave respektive në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore të institucioneve administruese të tyre sipas aktit të krijimit. E-albania është një urë e qendërzuar komunikimi mes shtetit dhe qytetarit e biznesit. E-albania shmang ngritjen paralele të faqeve të çdo institucioni me qëllim ofrimin e shpërndarë të shërbimeve elektronike duke e bërë më të thjeshtë për qytetarin dhe biznesin duke lehtësuar kërkesën per shërbim dhe marrjen e shërbimit.
AKSH mirëpret në cdo kohë qoftë përfaqësues të partisë që sulmon pa asnjë bazë institucionin dhe qoftë përfaqësues të portaleve që e mbështesin këtë sulm, për të ballafaquar pretendimet e tyre.
Lajmi është zbuluar sot nga Lapsi.al, sipas të cilit një database me të dhënat e mbi 910 mijë votuesve, përfshirë këtu një sërë emrash të njohur të gazetarëve janë të skeduar me preferencat politike dhe shanset se për kë do të votojnë me 25 prill.
/a.r