Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi turin e bashkëbisedimit me të rinjtë në qytetin e Lushnjës.
Basha ka denoncuar rritjen e borxhit publik nga qeveria e cila sipas tij, ka hapur një gropë të madhe prej 700 milionë dollarësh të cilat i ka marrë borxh.
“I rritën taksat që të vjelin e të mjelin popullin por jo t’ua kthejnë ju, as me shërbime as me punësime, as me investime, as me larje borxhi. E pyesim ku janë vendet e punës që premtove, ai thotë po mbyll një gropë të madhe; e pyesim pse janë rritur çmimet, po mbyll një gropë të madhe, përgjigjet; pse e ke rritur çmimin e energjisë, pse i ke rritur faturat abuzive, po mbyll një gropë të madhe. Cila është kjo gropë? Është gropa e borxhit sipas tij por Edi Rama ka marrë 700 milionë dollarë më shumë borxh se qeveria paraardhëse dhe s’ka larë asnjë lek borxh qe i bie 240 mije leke të vjetra për frymë shqiptari nga foshnja tek më plaku” – tha Basha në Lushnje.
Kryetari i PD-së u takua dhe me banorë të Çermës. Sipas deklaratës së selisë blu, mungesa e subvencioneve për bujqësinë dhe rritja e kostos së punimit të tokës përmes rritjes së çmimit të energjisë dhe karburantit kanë qenë shqetësimet e paraqitura nga banorët.
“Ulje e çmimit të energjisë dhe taksës së qarkullimit, subvencione për fermerët janë prioritete për PD” – theksoi z. Basha.