Anëtarja e komisionit rregullator në KQZ, Helga Vukaj ngriti shqetësimin se zyrtarët e lartë politikë nuk po i zbatojnë rregullat e KQZ për zhvillimin e fushatës zgjedhore.
Gjatë mbledhjes së sotme, ku u diskutua për numërimin e votave, Vukaj u shpreh se po shkelet Kodi Zgjedhor dhe akti për ndalimin e fondeve publike në favor të partisë në pushtet.
“Ne sapo normuam aktin me të rëndësishëm për numërimin e votave duke percuar në këtë akt integritet dhe profesionalizëm maksimal. Ndërkohe qe normojmë rregullat brenda, jashtë shkelet haptazi Kodi zgjedhor dhe Akti ynë për ndalimin e përdorimit të fondeve publike, burimeve publike dhe burimeve njerëzore në mënyre të njëanshme e me qellim për të avantazhuar njërën pale në pushtet në raport me palët e tjera.”- tha zonja Vukaj.
SEANCË DËGJIMORE ME KRYEPROKURORIN
Për këtë arsye, Vukaj kërkoi në një seancë dëgjimore me Prokurorin e Përgjithshëm për të informuar mbi kallëzimet e bëra jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe.
“Ka denoncime të shumta të bëra mediatike për shpërdorime te financave publike, nga pushteti qendror e vendor; punesime te shumta elektorale, investime të pashembullta elektorale, te tipit asfalte për vota, sigurisht pa procedura, lançime procesesh publike, prokurime pa gare, shpërndarje ndihmash, parash, certifikata pronësie, natën dhe këto janë të paprecedenta në këmbim të votave dhe t’i përcillet zotit komisioner të adresojë me shkrim kërkesën tonë drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, i cili duhet të na informojë urgjent mbi kallëzimet e bëra në rrethe e Tiranë për krimet zgjedhore. Kjo është imediate dhe duhet të merren masa dhe të ketë reagim me qellim parandalimin e fenomenit te ndikimit ne procesin zgjedhor ne mënyre te jashtëligjshme dhe para se krimi zgjedhor të kaplojë gjithë vendin. Kjo që po ndodh është shumë e rrezikshme dhe sensi i akteve tona e humbet vlerën e tij nëse nuk ka reagim”, u shpreh Vukaj në mbledhjen e Rregullatorit.