Nga Fatmir Merkoçi
Shqipëria është në dilemën e 25 prillit: Do kemi votim, zgjedhje apo reformë shtetërore! Nëse do kemi thjeshtë një votim, atëherë do të thotë se do vazhdojmë në të njëjtën rrugë. Ashtu siç edhe ecëm këto 30-të vjet dhe nuk do ndryshoj asgjë. Kjo quhet në e keqja në këtë rast pasi shqiptarëve nuk do t’ju kthehet shpresa. Ndaj, rruga për shpëtim, mbetet vetëm emigracioni.
Por me kodin zgjedhor nuk mundet të kemi as zgjedhje. Kjo për arsyen e thjeshtë se listat i bëjnë kryetarët e partive. Renditjen e caktojnë ata. Kështu që votuesi, me apo pa dashje, do ja delegojë votën partisë, e cila emëron dhe deputetët e ardhshëm. Këtu kemi dhe një “peshqesh” nga KQZ-ja, pasi vendosi që në vend të emrave, në lista, të kemi numra. Ose në gjuhën ushtarake matrikull për çdo kandidat të përfaqësuar.
Me sa duket, ngelet Reforma Shtetërore, si e vetmja mundësi reale. Pse themi e vetmja mundësi? Po ti referohemi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më se një herë, znj. Ambasadore ka kërkuar lista të pastra. E kjo për arsyen e thjeshtë se kuvendi i ardhshëm duhet të jetë mbi bazën e ligjit të dekriminalizimit. Madje, znj. Yuri Kim, kërkoi me ngulm mos kandidimin e disa emrave konkretë. Por KQZ-ja i regjistroi ata, që do të thotë se vullneti i Amerikës nuk u mor në konsideratë.
Në këto kushte, Amerika do përdori “asin nën mëngë”. Pavarësisht dëshirës së partive për të fituar zgjedhjet me mbi 50% të votave, ajo nuk do pranojë që qeveria të jetë e një krahu politik, pasi i mungon siguria dhe garancia e zhvillimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Në këto kushte u shfaq dhe Nano në këtë fushatë. Ai i bëri elozhe Kryetarit të qeverisë, dhe pse dikur e ofendoi deri në infinit. Kjo lëvdatë erdhi si pasoj e një skenari. Në këtë situatë kaotike që është politika shqiptare, Nano erdhi për të marrë garancinë për postin e Presidentit. Kjo si pasojë dhe e konfliktit të hapur aktual të Ramës me Metën President.
Nano duket se kërkon të shfaqet para ndërkombëtarëve si njeri i gjithëpranueshëm. Por a është ai vetë garanci për zbatim reforme?
Ai erdhi si një njeri konsensual, si një figurë që di të shuaj konfliktet dhe si një njeri i marrëveshjeve. Apo dhe si një njeri që bën kalimin e pushtetit në mënyrë paqësore. Por a do mundet Rama ti japë çelësat e Presidencës kur, vetë nuk do jetë Kryeministër ? Në të gjitha variantet Rama nuk do mundet të kalojë 50% pra nuk mundet të formojë qeverinë pas zgjedhjeve.
Në këto kushte do synohet një koalicion i gjerë, ku do trumpetohet si domosdoshmëri e stabilitetit dhe hapjes së negociatave me Europën. Por ajo që është më e rëndësishme, është fakti se Rama nuk jep garanci tek Amerika për vazhdimin e reformës. Apo e thënë më troç: Rama zvarriti më dashje “urdhrat “ e Amerikës qysh kur mori pushtetin, për të arrestuar peshkaqenët e politikës. Kjo hoqi besimin e tyre ndaj tij.
Tashmë Amerika kërkon një qeveri që të zbatoj sa më mirë reformën dhe që kjo të bëhet e prekshme nga qytetarët. Ndryshe nuk mundet të rikthehet besimi.
Ndaj çfarëdo lëvizje të bëjnë politikanët dhe sado të kamufluar dhe pro amerikan e evropian të tregohen besueshmëria ndaj kësaj kaste politike, është në kuotat më të këqija. Ndaj Amerika, si financuesja e kësaj reforme, do të jetë mjaft vigjilente. Ndaj ajo kërkon tashmë një qeveri me njerëz të pa korruptueshëm. Vetëm kështu, mundet të zhvillohet reforma dhe mundet të kapen jo vetëm peshkaqenët e politikës, por dhe kokat e MAFIA-s së krimit e të drogës. Vetëm me një qeveri të tillë mundet të ndahet shteti nga krimi e korrupsioni.
Gatishmëria e Amerikës sa vjen e forcohet në lidhje me këtë çështje, pasi ajo nuk mundet ta pranoj humbjen. Nuk mundet ta lejojë Shqipërinë të ndarë nga Ballkani Perëndimor për t’u bërë rishtas pjesë apo shembull ndryshe i kampit të lindjes. Ndaj këtë radhë shqiptarët, pavarësisht çdo manipulimi apo blerje vote nga politika, kanë më pranë se kurrë vendet e Bashkimit Evropian dhe Amerikës në krah të tyre.
Kjo vërtetohet dhe nga loja ushtarake e NATO-s më 26 prill në Shqipëri. Kjo datë, duket se nuk është zgjedhur rastësisht, por pikërisht një ditë pas zgjedhjesh. Kjo është dhe garancia që jepet, qoftë për ruajtjen e stabilitetit ashtu dhe për sigurinë e qetësisë pas zgjedhore.