Pavarësisht ftesës së PD për pjesëmarrjen në këtë eveniment, Kryeministri Edi Rama, si dhe kreu i kuvendit Ilir Meta kanë preferuar që të mos marrin pjesë. Ndërkohë që ky i fundit i ka uruar, përmes një e-maili PD-së, 25 vjetorin e themelimit. Basha e cilësoi këtë veprim si një mungesë të thellë emancipimi, duke thënë se kundërshtarët e tij politik nuk mund të tejkalojnë meskinitetin dhe kufizimet e tyre si trashegimtare te rregjimit komunist.
“Kundërshtarët tanë politikë në qeverisje edhe këtë vit, në 25vjetorin e ngjarjes më të madhe kombëtare, pas asaj të 100vjetorit të pavarësisë, nuk dolën dot nga meskiniteti dhe kufizimet e tyre si trashëgimtarë të regjimit që demokratët mposhtën një çerek shekulli më parë. Nuk u ngritën dot në lartësinë e emancipimit dhe detyrës për të përkujtuar me nderimet e merituara një jubile që me të vërtetë ka shenjë e një grupimi të caktuar politik, por duke qenë gur themeli në ngrehinën e re të Shqipërisë së re demokratike u takon të gjithë shqiptarëve”, tha Basha.
“Nuk do të merresha fare sot me qëndrimin e tyre që spikat si mjerimi i tyre, po nuk mund të mos i akuzoj si provokatorë dhe sfidues, si armiq të lirisë me dekorimin e tyre kriminal që u bënë xhelatëve të diktaturës si provokim ndaj të gjithë shqiptarëve pikërisht në 25 vjetorin e ngadhënjimit të lirisë”- tha kreu i PD.