Një 32-vjeçar me inicialet E.B është arrestuar në Lushnjë, pasi qarkullonte me armë zjarri në automjet dhe tentoi t’i shmangej kontrollit të punonjësve të Policisë duke i kundërshtuar këta të fundit.
Gjatë kontrolleve, në lagjen ”Çlirimi”, patrullat në vendin e quajtur “Shinat e trenit”, kanë ndaluar një automjet tip “Volkswagen” që drejtohej nga shtetasi E. Z., 28 vjeç, banues në Vlorë.
Në momentin që ky automjet është ndaluar nga punonjësit e Policisë dhe po i nënshtrohej kontrollit, pasagjeri në mjet, shtetasi E. B. (M)., 32 vjeç, ka tentuar të largohet duke kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe ka hedhur në tokë një armë zjarri pistoletë, por është neutralizuar dhe prangosur.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 32-vjeçarit, u gjet dhe sekuestrua edhe një armë gjahu pa leje si edhe 20 fishekë luftarakë.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe automjeti tip “Volkswagen” dhe 3 aparate celularë.
“Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B. (M)., 32 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, tha policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme procedurale”- thuhet në deklaratën e policisë.
g.kosovari