FIFA ka publikuar renditjen e muajit mars dhe Shqipëria ka mbetur në vendin e 66-të. Fitoret me Andorrën dhe San Marinon nuk kanë pasur peshë dhe kuqezinjtë kështu nuk ngjitin asnjë shkallë në renditje.
Ndryshe ka ndodhur me Kosovën, që u mund nga Suedia dhe Spanja. Skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes ka rënë me tre shkallë në renditjen mujore të FIFA-s dhe tani pozicionohet në vendin e 120-të.
Anglia, e para në grupin e Shqipërisë, nuk ka ndryshuar pozicion dhe renditet në vendin e katërt, ndërkohë që prej muajsh Belgjika nuk e lëshon vendin e parë, e ndjekur nga Franca dhe Brazili.
Italia spikat, teksa është ngjitur në vendin e shtatë. Muajin e shkuar ishte rikthyer në 10 më të mirat kombëtare në botë. Argjentina dhe Uruguai kanë rënë nga një vend, kurse në vendin e 10 është ngjitur Danimarka.
Gjermania ka ngjitur një shkallë, duke shkuar në vendin e 12-të. Rënie kanë pasur edhe Holanda (16, -2 vende) e Kroacia (14, -3 vende), që nuk kanë regjistruar rezultate të mira kohët e fundit./ b.h