Gjykata e Tiranës ka dënuar me 5 vite burg Vladimir Gjutën, i arrestuar me një armë me vete pranë Selisë së PS në shkurt 2020.
Gjuta u fajësua për “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe për “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Gjuta u arrestuar pranë selisë së Partisë Socialiste. U pikas nga Garda e më pas u ndalua nga forcat shqiponja.
Në janar të këtij viti Prokuroria e Tiranës kërkoi 5 vite burg për Vladimir Gjutën, i arrestuar më 10 shkurt 2020 pasi u kap me armë pranë selisë së PS, me rreth 180 mijë euro me vete dhe me një pistoletë me fishekë në gojë.
Këtë masë dënimi Prokuroria e Tiranës e kërkoi në përfundim të gjykimit të tij për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe për “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Seanca e radhës, ku pritet të dëgjohen konkluzionet e mbrojtjes dhe të jepet vendimi, u caktua në 27 janar.
Gjuta u arrestua 10 minuta para se të niste mbledhja e kryesisë së PS, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ishin efektivët e Gardës së policisë, që arrestuan jashtë selisë së PS-së Vladimir Gjutën me një pistoletë me fishekë në gojë, një dorezë metalike dhe rreth 180 mijë euro me vete në një çantë firmato “Gucci”; më saktësisht 121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja. Po gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë sekuestruan edhe një automjet të blinduar autoveturë Audi A8, me të cilën qarkullonte.
Avokati i Gjutës, Naim Gjuta më parë, ka thënë se klienti i tij nuk kishte për qëllim që t’i bënte atentat kryeministrit Edi Rama, por po thyente disa para të cilat i duheshin për të hapur një biznes në Shqipëri. Sa i përket shumës së madhe të lekëve që iu gjetën në çantën “Gucci”, avokati tha se i ka fituar me punën në Angli.
Vetë Gjuta ka deklaruar se nuk kishte qëllim që të kryente atentat ndaj kryeministrit, pasi ka simpati për Ramën, por dhe Berishën si politikanë, siç ka edhe për ish- presidentin amerikan, George Bush.
Gjuta është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi më parë ka qenë arrestuar si i akuzuar për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ish- ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri më 10 shkurt 2015, por që në përfundim të hetimeve u lirua, pasi akuzat nuk u provuan. Vladimir Gjuta kishte kërcënuar ish-ministrin me një mesazh në numrin e tij personal. “Lëre të qetë familjen Gjuta, ndryshe do të kesh pasoja”, shkruhej në mesazhin pas të cilit Tahiri u mor në mbrojtje nga forcat RENEA.
Ndërsa disa kohë më pas, Gjuta u arrestua për dhunë ndaj babait të tij, duke thyer edhe masën e “arrestit shtëpiak”, por u lirua sepse familjarët nuk ngritën kallëzim penal. Vetëm një muaj më parë, pas një sherri i theu dhëmbët kushëririt të tij me çekiç dhe duke i lënë të dëmtuar njërin nga sytë.
g.kosovari