Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur se në 25 Prill do të përcaktohet fati i Shqipërisë. I ftuar në studion e Repolitix në “Report TV”, Veliaj tha se Lulzim Basha po kërcënon sot të gjithë ata që kanë marrë dhe po marrin shtëpitë falë Programit të Rindërtimit se do të rishikojë vendimet pas tërmetit.
“Unë besoj që nga 25 prilli varet i gjithë fati i vendit, sepse mund të vlojë matrapiku i Zogut të Zi, që prish gjithë punët publike nga ata që punë nuk dinë të bëjnë, por që të prishin punë dinë. Do varet edhe fati i shtepive te tërmetit.
Sot gjysma e njerëzve i kanë marrë shtëpitë. Kur dëgjojnë një gjumash, që vetë u bë me 5 vila, që thotë: “Do t’i rishoh edhe një herë shtëpitë e tërmetit”, praktikisht po iu thotë njerëzve që janë futur tani në shtëpitë e rej, mund t’ju nxjerrim nga shtëpia. Është edhe fati i tyre. Kur u thotë që unë do shoh historinë e vaksinës, është edhe fati i njerëzve që mezi presin të vaksinohen dhe që të ulet fasha e të shtohet diapazoni, është edhe fati i tyre.
25 prilli është fati i gjithë atyre që duan të rrisin fëmijët e tyre në këtë vend, jo në Hollandë, jo në Angli, por në Shqipëri e që duan që Shqipëria të lulëzojë dhe që kanë parë që kur Edi merr përsipër një punë me atë kokfortësinë e vet i çon deri në fund,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se sado e pamundur të dukej deri dje, sot Shqipëria me 2.8 milion banorë po e merr ndër të parat vaksinën në Ballkan dhe në Europë, falë Kryeministrit Rama që lëviz çdo lloj guri derisa të arrijë objektivin.