Kandidati socialist Fatmir Xhafaj deklaroi mbrëmjen e sotme se ka qenë i përgatitur tërësisht për sfidën e 25 prillit dhe për renditjen nr. 23 në fletën e votimit. Në një intervistë në emisionin “Absolut_4”, me gazetaren Merita Haklaj në A2, Xhafaj tregoi dhe bisedën e zhvilluar me Erion Veliaj.
“ Isha i përgatitur. Ne kishim miratuar një ligj zgjedhor që parashikonte një garë dhe një konkurrim. Isha i përgatitur siç do njëri tjetër për efektin e këtij ligji në praktike. Ligji zgjedhor na detyronte që të kishte edhe një konkurim brenda nesh. Veliaj më kërkoi në takim dhe më tha që është ndjekur një filozofi në formulimin e skuadrave politike se ata që konsiderohen si njerëzit me më shumë eksperiencë dhe drejtuesit e qarqeve do të ishin në vijën e zjarrit. Unë isha përtej vijës së zjarrit, por kjo nuk më bëri përshtypje. Për dikë është një zgjidhje, për mua është një sfidë. Jetën nuk e kam pasur të lehtë e të shtruar, por kam kaluar nga sfida në sfidë. Në karrierën time politike jam përballur me shumë sfida në opozitë dhe pushtet”, tha ai.
Deputeti socialist u shpreh se është e rëndësishme kombinimi i gjeneratave brenda një force politike të madhe sikurse është PS. “Brenda një familje politike të madhe si PS kjo është një domodoshmëri. PS ka pasur një kombinim të mirë të gjeneratave. Edhe në këtë ekip që është ndërtuar janë të treja gjeneratat. Për t’u bërë socialist është një gjë tjetër. Deputet të bëjnë, por socialist duhet të bëhesh. Ështe çështje ndjeshmërie, zemre të jesh socialist, nuk është çështje karrige. Skuadra është ndërtuar, tashmë është në garë dhe brenda saj ka edhe një konkurrim. Për garën vendosim të gjithë bashkë ndërsa për konkurrimin vendosin qytetarët”, deklaroi Fatmir Xhafaj që në listën e kandidatëve të PS për Tiranën mban Nr. 23.