Në Bibliotekën e Korçës, brenda një hapësirë ultramoderne, të arreduar më së miri për t’u shfrytëzuar maksimalisht nga të rinjtë frekuentues, po merr jetë edhe qendra e re e mësimeve të teknologjisë së lartë, e cila do të shërbejë për orientimin e të rinjve në rrugën e punësimit në tregun global online, ku ata mund të krijojnë të ardhura të larta, pa qenë të detyruar të largohen nga vendlindja.
Qendrën e re e vizitoi sot Kryeministri Edi Rama, i cili u njoh me punimet e shumta të të rinjve të talentuar që te ardhmen e shohin premtuese në fushën e teknologjisë së Informacionit.
Partner në menaxhimin e kësaj qendre është edhe Universiteti për Biznes dhe Teknologji UBT në Prishtinë, të cilët ofrojnë dijet dhe eksperiencën e tyre përmes një stafi të kualifikuar pedagogësh, që trajnojnë të rinjtë.
Ndërsa kryeministri Rama tha se Plani i Veprimit 2021 – 2025 do të krijojë qendra të tilla fillimisht në disa bashki qendra qarku, në Veri e në Jug, për t’i shtrirë ato në krejt bashkitë e vendit, brenda kësaj dekade ku kemi hyrë.
“Ky është shembulli i parë i një zinxhiri, që sipas planit tonë të veprimit 2021-2025 do ta shtrijmë gradualisht në qendra qarqesh dhe pastaj më tutje në çdo bashki. Ne duam që brenda kësaj dekade, rinisë shqiptare t’i jepet një alternativë shumë e fuqishme përfshirjeje në tregun global, pa qenë nevoja për të marrë rrugët dhe për të lëvizur, jo nga qyteti, por as nga shtëpia dhe duke qenë aktorë në një treg, ku sigurisht ka shumë punë dhe patjetër ka të ardhura eksponencialisht më të larta se sa ato që garanton tregu i brendshëm.
Fakti që jemi këtu sot me këta partner të shkëlqyer, fakti që këtu ka filluar puna tregon që kjo nuk është një ëndërr më, nuk është as një dëshirë, por është një program i nisur. Plani ynë i veprimit ka dhe aspektin e financimit të këtyre qendrave e përfshirjes dhe e stimulimit të të rinjve dhe e përsëris, ne sot këtu me dy partnerë që më të mirë s’kishim ku i gjenim për të filluar, me bashkinë e Korçës dhe me UBT e Prishtinës jemi absolutisht të bindur që falë edhe një skuadre që janë mbledhur këtu, ne do ja dalim që ta transformojmë këtë ëndërr, që tanimë po futet në rrugën e realitetit, në një realitet të kudondodhur, duke filluar nga disa qendra qarqesh dhe pastaj duke u shtrirë në të gjithë qendrat urbane të Shqipërisë.” – u shpreh Kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë sakaq iu ‘prezantua’ edhe roboti ‘Nao’. Kur Rama klikoi në kokën e robotit, nxorri disa gishta. Kryeministri tha i habitur se përse roboti është me dy gishta, ndërkohë që punëtoret thanë se kishte tre.
Rama: Me dy gishta dhe ky?
Punetori: Jo me tre, është me tre.
Roboti: I can workout too, let me do some push up. / b.h