Ju mund të shijoni organizimet e vogla sërish, mirëpo duhet të vazhdoni të mbani maskën dhe të ruani distancën fizike.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara ka thënë se personat e vaksinuar plotësisht mund të mblidhen pa maska në ambiente të jashtme, me personat e vaksinuar po ashtu.
Ky institucion përmend se mund të takoheni me personat që nuk janë vaksinuar, por janë të një familjeje dhe nëse ata persona konsiderohet se nuk janë shumë të rrezikuar nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi, transmeton agjencia e lajmeve The Associated Press.
Përveç organizimeve të vogla me persona të vaksinuar, apo me anëtarë të një familjeje, të vaksinuarit në SHBA:
Mund të udhëtojnë pa test paraprak në nisje dhe pas përfundimit të udhëtimit brenda territorit amerikan
Mund të udhëtojnë brenda SHBA-së pa iu nënshtruar karantinës
Të udhëtojnë edhe jashtë SHBA-së pa test paraprak për koronavirus
Të udhëtojnë jashtë SHBA-së pa pasur nevojë që të zbatojnë masën e karantinës në kthim
Megjithatë, udhëzimet ndryshojnë nga vendi në vend.
Në publik, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon që personat e vaksinuar të vendosin maska, të shmangin organizimet e mëdha dhe të qëndrojnë larg të tjerëve.
Një person konsiderohet i vaksinuar plotësisht dy javë pas pranimit të dozës së fundit të kërkuar të vaksinës.
Udhëzimet për aktivitetet tjera për personat e vaksinuar vazhdojnë të jenë me doza kujdesi.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ende nuk inkurajon udhëtimin e panevojshëm, dhe ende nuk ka bërë ndonjë rekomandim për shkuarje nëpër restorante dhe vende tjera.
Zyrtarët e këtij institucioni pritet që së shpejti të përditësojnë udhëzimet për të lejuar më shumë aktivitete teksa rritet shkalla e vaksinimit.
Një arsye pse duhet të keni kujdes pasi të keni marrë një prej dy dozave të vaksinën qëndron te shqetësimet se infektimi te një person, që është i mbrojtur pjesërisht, rrezikon procesin e mutacionit të virusit, ka thënë Joshua LaBaer, drejtor i Institutit për Biodizajn në Universitetin Shtetëror të Arizonas.
Çfarë dimë dhe çfarë jemi duke mësuar?
Tashmë e dimë se vaksinat kundër koronavirusit janë efektive në parandalim të sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus, sidomos sëmurjen e rëndë dhe vdekjen.
Ende jemi duke mësuar se sa efektive janë vaksinat kundër varianteve të koronavirusit. Të dhënat e hershme tregojnë se vaksinat mund të funksionojnë kundër disa varianteve, mirëpo mund të jenë më pak efektive ndaj disa varianteve tjera.
E dimë se mënyra tjera sikurse larja e duarve, vendosja e maskës dhe ruajtja e distancës ndihmojnë në luftim të pandemisë, dhe se këta hapa janë ende shumë të rëndësishëm, edhe teksa vazhdon shpërndarja e vaksinës.
Jemi duke mësuar sa ndihmojnë vaksinat në mospërhapje të sëmundjes COVID-19.
Të dhënat e hershme tregojnë se vaksinat mund të ndihmojnë që të mos përhapet COVID-19, mirëpo duhen më shumë të dhëna ndërkohë që vazhdon procesi i vaksinimit në shumë shtete.
Ende jemi duke mësuar sa gjatë mund të mbrojnë vaksinat njerëzit kundër COVID-19.
Më 29 mars Kosova ka nisur fushatën e imunizimit kundër koronavirusit, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinave të kompanisë AstraZeneca, përmes COVAX-it, skemës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.
Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka njoftuar se gjatë muajit maj Kosova do të furnizohet edhe me 76.800 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Në total, Kosova nga COVAX-i do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës së AstraZenecas./ REL