“Vota për Partinë Demokratike është votë për ta çuar Shqipërinë në Europë”, kështu deklaroi lideri i Opozitës Lulzim Basha, gjatë një takimi me banorë të Unazës së Re.
Në bashkëbisedim me banorët Basha u shpreh se ndryshimi tashmë ndjehet tek çdo qytetar, ndryshim që sipas kryedemokratit do të finalizohet me 25 prill.
Më tej ai theksoi se me Partinë Demokratike fitojnë të majtët , të djathtët dhe të gjithë shqiptarët.
“Ka vetëm një rrugë, Shqipëria kërkon ndryshim, Tirana do ndryshim. Unë e shoh se ndryshimi ka mbërritur dhe e shoh tek çdo qytetar i ndershëm. 25 prilli është dita juaj, unë kam për detyrë t’ju udhëheqë drejt një politike njerëzore. Sepse politika është për t’i shërbyer njerëzve. Sot vijmë para qytetarëve me një zotim se me ne, demokracia është e garantuar.
Ju ftoj që deri më 25 prill ta bëjmë bashkimin tonë edhe më të madh. Së bashku do të ndalim dorën e grabitje dhe do të ndalojmë që vendi të rrëshqasë sërish në diktaturë. Prandaj sot them se vota për Partinë Demokratike, vota për numrin 9 është vota për ta çuar Shqipërinë në Europë”, tha Basha.