Në Europë, një kontinent i goditur nga një valë e tretë e COVID-19, e gjithë Italia u klasifikua në zonën e kuqe, me një rrezik të lartë të shkallës së infektimit dhe kufizime maksimale për festat e Pashkëve, që zakonisht janë rasti për bashkime familjare.
Sërish, para një sheshi të shkretë, Papa Françesku hapi në mbrëmjen e së premtes Rrugën e tij të dytë të Kryqit pa audiencë, me pjesëmarrjen e vetme të fëmijëve italianë.
Në Francë, përballë një bllokimi njëmujor, autoritetet toleruan udhëtimin midis rajoneve deri të hënën në mbrëmje, duke lejuar shëtitjet në parqe dhe mundësinë për të vizituar gjyshërit.
Pjesa tjetër e Europës po rrit masat kufizuese, në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit, veçanërisht në lidhje me udhëtimet.
Gjermania njoftoi forcimin e kontrolleve në kufijtë e saj tokësorë për një deri në dy javë.
Në Lindjen e Mesme, Libani është plotësisht i kufizuar nga e shtuna deri të martën në mëngjes, për të shmangur një ngritje të re të shifrave të virusit.
Në Amerikën Latine, ku pragu i 25 milionë rasteve të deklaruara COVID-19 u kalua të premten, disa vende kanë forcuar kufizimet e tyre.
Infeksionet javore të SHBA-së arritën pikën e tyre më të lartë që nga fundi i shkurtit, madje edhe me vaksinime në nivele rekord.
India raportoi numrin më të lartë të rasteve të reja që nga kulmi i shpërthimit të pandemisë në shtator.
Rastet globale COVID-19 tejkaluan sot 130 milionë infektime.
Pandemia ka vrarë gjithsej më shumë se 2 829 051 persona në të gjithë botën, që nga fundi i dhjetorit 2019, sipas një raporti të burimeve shëndetësore.