Kreu i Kishës Katolike, imzot Frendo në një mesazh për pashkët, thekson se Shqipëria jonë, vend i stolisur me shumë bukuri, “të bëhet, përmes jush, një vend edhe më i bukur”.
Ndërsa ndodhet në Itali i shtruar për shkak të infektimit me Covid, Frendo thotë se shpreson që pandemia të jetë një shkollë për ne, “që ishim bërë tepër viktimë materializmi dhe konsumizmi”.
“Mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë”- apelon ai.
NGA IMZOT FRENDO: MESAZHI PËR PASHKËT 2021:
Të dashur vëllezër dhe motra, duke qenë e pamundur të jem i pranishëm personalisht në mesin tuaj për shkak të sëmundjes që po më detyron të qëndroj në Spital, gjë që po zgjat tashmë më shumë se një muaj, dëshiroj të jem i pranishëm me këtë mesazh për të reflektuar së bashku mbi dhuratën pashkore të Krishtit të Ringjallur, shpresa jonë e vetme.
Tingulli i natës së këmbanave të të gjitha Kishave i bën me dije botës që diçka e re ka ndodhur dhe diçka e re po bëhet gati të fillojë. Janë Pashkët e ringjalljes, aty ku Krishti i ringjallur nga të vdekurit përfaqëson risinë për të gjithë ata që aspirojnë jetën e re.
Pashkët, në fakt, nuk janë përfundimi i Kreshmëve, por fillimi i një jete të re, pasi që i kemi rënë mohit të keqes dhe mëkatit të futur në natyrën tonë; mohimi i së cilës Kreshmët kanë qenë një simbol, por edhe një rrugë konkrete. Por cili nga ne mund të thotë më të vërtetë se është i aftë për të bërë, në mënyrë të përsosur, zgjedhje për një ndërrim rrënjësorë? Gjithmonë ndihemi nevojtarë për të filluar nga e para, për të përshkuar shtigje mohimi, shkretëtireje, për të arritur oaze freskuese të cilat japin shpresë për të vazhduar ecjen.
Është gjithmonë dora e Zotit që na shtyn për të ecur, për të braktisur siguritë tona që t’i hapemi së resë. Njeriu, në fakt, nuk shëlbohet vetëm: sikur të varej nga ne, do t’u kënaqnim në zakonet tona, në “kështu është bërë gjithmonë”, dhe do të qëndronim në një gjendje vdekjeje të parakohshme, pa shpresë, pa aspirata, por vetëm me ato gjëra që ndodhin përpara syve tanë për të kënaqur nevojat e menjëhershme të mbijetesës. Por gjithashtu edhe këtë vit dora provanore e Zotit i shtyu besimtarët e tij për të përshkuar shkretëtirën kreshmore “për të arritur të përtërirë në festën e pashkëve” (lutja e të enjtes së javës së IV të Kreshmëve);
– Na ka bërë imitues të atit tonë Abrahamit i cili braktisë gjithçka për ecjen që do ta çojë në takim me Hyjin i cili premton risinë e jetës;
– Imitues të etërve tanë në ikje nga Egjipti me shpresë që të arrijnë tokën e premtuar;
– Imitues të Zotit tonë Jezu Krisht, solidar me ne në shkretëtirën e zhveshjes, ku njerëzimi ynë vihet përballë tundimit që të dalim fitimtarë, të forcuar me Fjalën e Zotit, shpëtimin e vetëm kundër së keqes. Dhe ja tani Pashkët, oazë freskie që shuan etjen tonë në këtë fazë të jetës; të gatshëm për të filluar rrugëtimin, pas zhytjes freskuese në ujërat e Pagëzimit, nga i cili jemi rilindur në jetë të re: “Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re” (Rom 6, 4). Ecja që na vihet përpara, pra, ka shijen e jetës së re; dhe ky është urimi im i Pashkëve të Shenjta për këtë vit, 2021.
– Një jetë të lirë nga mëkati sepse është e palëkundshme në dashurinë e “Atij që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit” (2 Kor 5, 21);
– Një jetë në përputhje me vullnesën e Hyjit dhe në shenjtëri, në shembullin e Krishtit, i cili duke ardhur në botë thotë: “Ja, unë po vij për të bërë vullnetin tënd. (…) Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë e përgjithmonë”. (Heb 10, 9- 10 );
– Një jetë të shënuar nga bamirësia, në shembullin e Atij që “e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte me të”. (Vap 10, 38b);
– Një jetë nën veprimin e Shpirtit të mëshirës të dhënë nga Ai që, i Ringjallur, hukati mbi dishepujt natën e Pashkëve dhe tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen”. (Gjn 20, 22b-23); Dhe me Shën Palin unë ju bëj thirrje: “Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit”. (Kol 3, 1).
Dhe në fund, dëshiroj të falënderoj të gjithë, pa dallim: ju më keni mbështetur në këto Kreshme të veçanta për mua. Krishti i Ringjallur ju bekoftë, gjithashtu edhe unë ju bekoj dhe ju kërkoj që të vazhdoni lutjen tuaj për mua dhe për të gjithë të sëmurët. Pashkë të Shenjta!
Të gjithë ata që e takuan Jezu Krishtin e ngjallur morën një urdhër: “Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi”. Prandaj le të dëshmojmë mesazhin e Pashkës. T’ia dëshmojmë asaj vajze që e shet trupin e vet në mes të natës, e t’i themi: “Jezusi ka flijuar trupin e vet për të t’i dhënë një trup që nxit respekt”. T’ia dëshmojmë atij burri që e shfren dëshpërimin e tij në pornografi ose alkool apo drogë, e t’i themi: “Jezusi të ka treguar rrugën e asaj të vërtete që të bën të lirë, mos cakto rrugën që të bën skllav të pornografisë, të alkoolit apo të drogës”. T’ia dëshmojmë atij të riu që e humbi besimin e tij sepse mendon se besimi në Zotin është besëtytni, e t’i themi: “Vetëm në besimin në Zotin jeta jonë mund të gjejë domethënien e vet, ndryshe është absurditet”.
T’ia dëshmojmë atyre që planifikojnë të vetëvriten, sepse nuk shohin asnjë të ardhme, asnjë shpresë, e t’u themi: “Besimi lind në ju atë shpresë që ju jep kurajë për të përballuar çdo sfidë dhe situata të vështira”.
T’ia dëshmojmë edhe atyre që po vuajnë për shkak të përhapjes së koronavirusit, që ka krijuar shumë probleme për shumë familje. Por le të jetë kjo situatë si një shkollë për ne, që ishim bërë tepër viktimë materializmi dhe konsumizmi. Mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë.
Jeta jonë nuk është nën drejtimin e virusit, por nën drejtimin e Krishtit. Dhe t’ia dëshmojmë të rinjve që kultivojnë një ëndërr, që një ditë të largohen nga Shqipëria drejt një vendi më të pasur. Kush kultivon këtë ëndërr mendon se është guximtar. Por ai që vendos të qëndrojë në Shqipëri duke ëndërruar një Shqipëri më të mirë është hero. Ndoshta shumë të rinj kënaqen të jenë guximtar. Por le të kërkojnë më shumë të jenë heronj. Shqipëria ka nevojë për ju, të dashur të rinj: jeni e ardhmja e Shqipërisë.
Ngjallja e Krishtit shpall fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, fitoren e shpresës mbi dëshpërimin. Ngjallja e Krishtit le t’ju dhurojë vendosmëri që Shqipëria jonë, vend i stolisur me shumë bukuri, të bëhet, përmes jush, një vend edhe më i bukur. Ëndrra e vetme e Jezusit ishte që me shembullin e jetës së tij të na mësojë dhe të na tregojë rrugën e dashurisë ngadhënjyese. Le të jetë kjo edhe ëndrra juaj.
Ata që kishin vendosur shpresën e tyre në Jezusin e Nazaretit, kur e panë Jezusin e arrestuar, frushkulluar dhe kryqëzuar menduan se të gjitha shpresat dhe vetë jeta e tyre u shkatërruan. Por doli dielli i Pashkëve, janë takuar me Jezusin i cili i përshëndeti me fjalë: “Paqja me ju” dhe i ngarkoi me misionin: “Shkoni te vëllezërit e mi e thuajuni se unë jam i gjallë, dhe do të jem gjithmonë me ju”.
Pranoni edhe ju, të dashur vëllezër e motra, këtë mision. Shpallni lajmin e Krishtit: Zoti është me ju! Aleluia, aleluia!