Byroja Kombëtare e Hetimit ka kualifikuar të enjten 28 kandidatët e parë për hetues. Edhe pse pati disa vonesa tashmë Struktura e Posaçme Antikorrupsion mund të quhet e kompletuar. Në lidhje me këtë zhvillim gazeta ka kontaktuar avokatin Spartak Ngjela, i cili e konsideroi një hap pozitiv kualifikimin e 28 hetuesve të parë. Sipas tij, kjo tregon që institucionet janë vënë në lëvizje dhe po veprojnë me intensitet për të filluar hetimet dhe përforcuar luftën antikorrupsion. Ngjela theksoi se tashmë formimi i BKH dhe rrjedhimisht lufta antikorrupsion do të sjellin hapa progresivë sepse kërkohet nga ndërkombëtarët. “SPAK ndërkohë është formuar, kjo do të thotë që tashmë çdo gjë do të eci përpara. Ajo që është e vetmja pengesë në këto momente është Byroja Kombëtare e Hetimit se nuk ka akoma hetues. Por, fakti që sot janë certifikuar 28 kandidatë që do të shkojnë jashtë shtetit për t’u kualifikuar si hetues është e gjitha në funksion të asaj që, nuk ka se si të heqësh dorë sot në Shqipëri nga lufta antikorrupsion. Sepse është kërkesë kushtetuese dhe nuk drejtohet nga ne, por drejtohet nga ndërkombëtarët”, u shpreh ai. Ngjela sqaroi se, vonesat që kanë ndodhur deri më tani për plotësimin e institucioneve janë problemi i vetëm në luftën antikorrupsion, ndërsa pengesa të tjera as që duhet të merren në konsideratë për aq kohë sa ne kemi një Kushtetutë që kërkon eliminimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. “Lufta antikorrupsion nuk është vullnet individual, por është kërkesë kushtetuese. Është Kushtetuta që kërkon luftë antikorrupsion. Kushtetuta aktuale shqiptare është antikorrupsion që nuk e ka asnjë vend tjetër. Fakti që ne kemi pranuar të votojmë me 140 vota një Kushtetutë të tillë do të thotë që nuk mund të ketë më kthim prapa, mund të ketë vonesa, probleme me emërimet, probleme me hetimet e personave që do merren me këtë çështje”, evidentoi avokati.
Priten arrestime nga dosjet e SHBA
Sipas avokatit, shumë shpejt do të shohim arrestime të bujshme. Pak ditë më parë SHBA solli në Shqipëri dy prokurorë që do të asistojnë SPAK dhe sipas Ngjelës kjo do të përforcojë punën e tij në shqyrtimin e dosjeve të figurave të larta politike. Sakaq, ai shtoi këtu si një element plus faktin që tashmë dihen disa emra politikanësh do shkojnë nën hetim, pasi i ka kërkuar vetë SHBA me emra dhe material të dokumentuar. Prandaj arrestime do të ketë dhe asgjë nuk mund t’i pengojë. “Në këto momente ne presim avancimin e arrestimeve. SPAK-u është mirë deri tani, dhe tashmë i erdhën edhe ndihmë ekspertize nga jashtë, dy prokurorë të njohur të Amerikës. Të gjitha këto vijnë dhe konvergojnë në një pikë. Në atë që nuk mund të ketë kthim prapa në luftën antikorrupsion në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por ju po e shikoni që hap pas hapi po dalin dhe emra të personave të korruptuar që po vijnë me dokumentacion nga organet e hetimit ndërkombëtar. Prandaj asnjë lloj force nuk mund ta kthejë mbrapa luftën antikorrupsion, qoftë në pushtetin gjyqësor qoftë në pushtetin politik”, tha ai.
Të korruptuarit sytë nga rusët
Sipas Ngjelës, drejtimi i luftës antikorrupsion është edhe një garë mes Rusisë dhe SHBA për kompetenca në Ballkanin Perëndimor. Por, sipas tij Rusia nuk do mund t’i ndihmojë të korruptuarit në vend edhe pse disa prej tyre i kanë kërkuar ndihmë. Ngjela tha se kjo nuk do të ndodhë sepse tashmë në jemi nën drejtimin e Amerikës. “Të gjithë këto që janë të korruptuar kot lodhen. Madje kot drejtohen edhe tek ambasadori rus, i cili pret që të vijnë agjentët e tij në pushtet, por nuk vijnë dot. E deklaroi Palmeri para disa muajsh kur tha se trageti rus për Shqipërinë është i pamundur. Ne e dimë që këtu ka një konkurrencë mes SHBA dhe Rusisë, në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe sidomos me Shqipërinë. Por, politika amerikane këtu është prezente, sepse mazhoranca nuk i ka kthyer asnjë ligj”, u shpreh avokati për gazetën “SOT”.