Nga Tom Therçaj
Në varrezat e Sharrës në Tiranë u zhvillua një ceremoni përkujtimore me rastin e festës Qingming. Kjo është dita kur kinezët përkujtojnë paraardhësit e tyre dhe shprehin ngushëllime.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ambasadori i Kinës i akredituar në Shqipëri, Zhou Ding, i cili vendosi lule dhe shprehu ngushëllime dhe nderim për të rënët në krye të detyrës.
“Në historinë e marrëdhënieve mes Kinës dhe Shqipërisë, meritojnë të respektohen e përkujtohen përgjithmonë ata paraardhës që dhanë kontribute të jashtëzakonshme.”
Në vitet ‘60-‘70 të shekullit të kaluar, qeveria kineze ndihmoi në ndërtimin e më shumë se 100 projekteve në Shqipëri, për realizimin e të cilave, erdhën afro 6000 specialistë duke dhënë kontribut të pashlyeshëm në nxitjen e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe thellimin e miqësisë Kinë-Shqipëri. Ndër ta, Çan Pao Y dhe të të tjerë të cilët dhanë jetën e tyre në këtë tokë, duke mbetur si një monument i miqësisë Kinë-Shqipëri.
“Sivjet është 50-vjetori i ndarjes nga jeta të këtij heroi (Çan Pa y) dhe kemi ardhur këtu me miqtë shqiptarë, që të përkujtojmë heronjtë me këtë përfaqësues.”, tha ndër të tjera ambasadori kinez Zhou Ding.
I pranishëm në këtë ceremoni, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar Martin Leka vlerësoi kontributin e spikatur të miqve kinezë në vitet ‘60-’70, nw një periudhë të rëndësishme të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, kur humbi jetën në krye të detyrës heroi kinez Çan Pao Y.
Ambasadori kinez dhe personat që e shoqëronin bënë homazhe edhe tek varri i deputetit Bashkim Fino, ish kryetar i Grupit Parlamentar të miqësisë Shqipëri- Kinë, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.
Kreu i diplomacisë kineze në Shqipëri vlerësoi bashkëpunimin, rolin dhe kontributin e zotit Fino për forcimin e marrëdhënive të gjithanshme mes Shqipërisë dhe Kinës.