Kursimet e shqiptarëve në banka kanë arritur një tjetër rekord në muajin Shkurt, duke arritur për herë të parë në nivelin e 11 miliardë dollarëve. Krahasuar me një vit më parë depozitat bankare janë rritur me 740 milionë dollarë, ndërsa kanë vijuar një tendencë rritëse në të gjithë muajt që prej nisjes së pandemisë.
Për këtë vit raporti i kursimeve në valutë kundrejt atyre në monedhën vendase është përmbysur. Që prej Janarit, llogaritë bankare në euro dhe dollarë janë 6 miliardë dollarë duke dominuar kursimet në lekë prej 5.1 miliardësh.
Më shumë se gjysmën e rritjes së kursimeve bankare e zënë depozitat e individëve. Në llogaritë e këtij grupi janë shtuar 400 milionë euro depozita gjatë vitit të fundit, ku kulmi i rritjes është shënuar në muajin Mars.
Por edhe pse në rritje, tendenca e kursimeve gjatë vitit të fundit po orientohet drejt llogarive rrjedhëse dhe jo depozitave me afat, kjo edhe si shkak i interesit të ulët që ofrojnë tregjet bankare.
Në fund të Shkurtit interesi mesatar për depozitat 1 vjeçare arriti në 0.63% dhe për ato me afat dy vjet 1.02%.
/a.r