Nga Dritan Hila
Tashmë secili prej nesh e ka pësuar një humbje në familje nga kovidi. Ata me fat, kanë pasur eksperienca që gjithsesi nuk kanë qenë të lehta.
E në këto momente nuk duhet të harrojmë se kush na shtyu dhe po na shtyn drejt gropës.
I mbani mend recetat me raki e hudhra? Po revoltat për oraret apo maskat?
Po teoritë për mosekzistencën e tij? Janë të njëjtët që përpiqen të diskretitojnë çfarëdolloj vaksine që vjen këtu. Janë Titi, Tritani, Sala, që librat e Mjekësisë ka tridhjetë vite qe ia u ha dhia. Janë ata që kërkonin Sputnik V dhe Sinovac, por tani qe erdhën thonë se nuk janë efikase.
E dini sa njerëz kanë humbur jetët dhe po i humbin disa orë para se të fillonte vaksinimi. I kemi të afërm, miq e shokë. Qajnë mungesën e fatit.
E dini sesa shumë ka, madje edhe të moshuar, që janë trembur nga propaganda vrastare kundër vaksinave. Por e dini që këta që janë gati të vdesin të tjerët nga kovidi vetëm të ikë Rama, për vete nuk nxjerrin as hundën nga shtëpitë pa maskë?
Nuk është rastësi. Është një politikë e koordinuar mediatike që sistemi spitalor dhe vendi të shkojë në kolaps nga infektimet. Është një politikë vrasëse që pavarësisht numrit të vdekjeve, të mundin të rrëzojnë qeverinë.
Pastaj qershia mbi tortë janë opinionet e mjekëve që në fotoprofil kanë logon “Shqipëria fiton”. Këta po, që kanë mendim shkencor.
Ndërkohë shqiptarët në Maqedoni dhe Kosovë kanë zili fatin tonë.
Në këto kohë të turbullta, kush ka dy pare mend në kokë duhet të vaksinojë të moshuarit. T’i nxjerrin nga burgu 14-mujor ku janë mbyllur. Të mos dëgjojnë ata që vrasjen e shqiptarëve e kanë mënyrë për të marrë pushtetin. Edi Rama nuk do rrezikonte që me vaksina jashtë standardit të vuloste humbjen e tij në zgjedhje.
Dhe së fundmi, ka një ligj për përhapje paniku. Nuk i lejohet askujt që nuk ka kompetenca profesionale, që nuk ka hyrë në pavionet e kovidit dhe të ndjejë erën e tij, që nuk ka intubuar një fatkeq, që të perhapë panik.
Mjekë që ja kalojnë Fred Çakos në çmendurinë e tij apo media që janë fandaksur më keq se ai, duhet të mbajnë përgjegjësi. Kjo është detyra e AMA-s dhe ca më shumë e prokurorisë.
Jemi në një luftë ku një i infektuar është minë shëtitëse e cila duhet çaktivizuar me vaksinë, ndërsa për të tjerët koha që të mësojnë se politika apo liria e fjalës nuk është streha ku mund të shpëtojë çdo kopuk.(Dritare.net)