Qendra që ofron shërbimin e kontrollit teknik të automjeteve në kryeqytet është e mbyllur.
Shumë qytetarë të cilëve u ka përfunduar afati i kolaudimit në Janar dhe në bazë të një akti normativ të qeverisë vlefshmëria e tij u shtyu me 3 muaj, duhet të merrnin shërbimin në Prill, por burime zyrtare nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor sqaruan për televizionin Klan se policia është njoftuar për shtyrjen edhe me një muaj tjetër të afatit të kontrollit teknik të mjetit.
“Të gjithë drejtuesit e automjeteve që u ka përfunduar kolaudimi dhe afati i shtyrjes me 3 muaj të tij, nuk do të kenë penalitet, pasi policia është njoftuar se u takon dhe një muaj shtesë. Kontrolli teknik, tashmë shtetëror, pritet të hapet si shërbim pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Rrugor.”
Komisionet parlamentare kanë miratuar amendimet e Kodit Rrugor, por gjatë fushatës elektorale nuk lejohet mbledhja e Kuvendit me përjashtim të seancave të jashtëzakonshme, duke e lënë të paqartë nëse këto ndryshime do të miratohen këtë muaj, apo në Maj.
Pavarësisht shtyrjes së kontrollit fizik të mjeteve, taksat vjetore duhet të paguhen, në të kundërt vendoset kamatë. Për ata që u mbaron kolaudimi ditën e sotme, duhet të bëjnë pagesën e taksave vjetore si dhe të marrin vulën e shtesës në lejen e qarkullimit.
Kontrolli Teknik i Mjeteve tashmë do të jetë një shërbim shtetëror, pas 10 vjetëve që e kishte kompania SGS, dhe pas marrjes së certifikatës së re, nëse mjeti nuk do të përfshihet në aksidente, kolaudimi do të bëhet njëherë në 2 vjet.
/a.r