Vendimi i i Qeverisë për tjetërsimin e godinës së Fakultetit të Gjeologji-Minierave ka ngritur në protesta stafin pedagogjik dhe studentët.
Studentët do të bojkotojnë sot mësimin dhe do të grumbullohen në ambjentet e jashtme të fakultetit në shenjë proteste.
Studentët e këtij fakulteti janë mbështetur në protestën e tyre edhe nga “Lëvizja për Universitetin”, që ka mbajtur këtë qëndrim në një njoftim shpërndarë për mediat:
“Lëvizja ‘Për Universitetin’ solidarizohet me nismën e studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave GJM dhe do jetë mbështesë në organizimin e tyre”.
Studentët bënë me dije se ata do të mblidhen rreth orës 09:30 përpara ambienteve të fakultetit, ku do shprehin pakënaqësitë e tyre me shpërfilljen që i bëhet universitetit dhe arsimit.
“Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave do bojkotojë mësimin në shenjë proteste ndaj faktit se pas një viti qeveria nuk ka mbajtur premtimin e ndërtimit të një godine të re për fakultetin dhe nuk ka dhënë asnjë alternativë tjetër akomodimi të ambienteve universitare. Për më tepër në të njëjtën ditë organizohet dhe prezantimi për projektin fitues për tjetërsimin e godinës ekzistuese në ambient për Gjykatën e Lartë”, njoftojnë studentët.