Pas vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për shkarkimin nga detyra si prokuror, në një reagim për mediat Bujar Memia akuzoi parlamentin për presion ndaj KLP. Ai tha se nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se do të vazhdojë betejën ligjore.
“Parlamenti i Republikës së Shqipërisë ndërhyri në mënyrë flagrante, formë presion i hapur, ndaj Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ne nuk kemi bërë asnjë lloj reagimi mediatik. Do vazhdojmë betejën tonë, jam tërësisht i bindur që nuk kam shkelur asnjë ligj të Republikës së Shqipërisë”.
I pyetur se çfarë nënkuptonte me presion nga parlamenti, Memia tha: “Atë e kuptoni ju, kam edhe një mbiemër, edhe nga vij… ”
Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi këtë të mërkurë kërkesën e ILD, për shkarkimin e Bujar Memias nga detyra e prokurorit.
ILD e akuzon atë për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës.
Hetimi ndaj prokurorit nisi pas dyshimeve për favorizim për lirimin nga burgu të të dënuarit Hekuran Billa, i ekzekutuar në atentat në Qershor të vitit të shkuar.
/a.r