Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shkarkuar nga detyra këtë të mërkurë prokurorin e Krujës, Bujar Memia.
Kërkesa për shkarkimin e tij ishte bërë nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës.
Hetimi ndaj prokurorit nisi pas dyshimeve për favorizim për lirimin nga burgu të të dënuarit Hekuran Billa, i ekzekutuar në atentat në Qershor të vitit të shkuar.
“Pas verifikimit të nisur me iniciativën e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte urdhëruar korrikun e kaluar fillimin e hetimit disiplinor për magjistratin Bujar Memia me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkelje të rënda profesionale, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës.
Në kërkesën për procedim disiplinor para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani kishte argumentuar, se në raport me faktet e provuara gjatë hetimit disiplinor ishte konstatuar mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve të magjistratit, gjatë dhe pas gjykimit, që çoi në lirimin para kohe me kusht të një të dënuari, si dhe mosrespektim i rëndë dhe i vazhduar i legjislacionit material dhe procedural penal“, thuhet në njoftimin e ILD-së.
Ky është magjistrati i tretë, që shkarkohet nga detyra për shkelje të rënda disiplinore, lidhur me lirimet para kohe me kusht, një prioritet i shpallur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që në marrje të detyrës.
g.kosovari