Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn ka bërë të ditur se Serbia do të nisë procesin e bisedimeve për integrim në BE dhe hapjen e kapitujve. Por, dialogu me Kosovën – sipas tij, – është i rëndësishëm, ndërsa pritet një raport pozitiv për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës.
Hahn, gjatë vizitës së tij në Beograd tha se, Serbia do të hapë “kapitullin e 32” dhe “kapitullin e 35” për dialogun.
“Serbia ka pasur arritje të mëdha në të kaluarën e afërt. Dua të theksoj përmbushjen e pikave në zbatimin e ligjit, marrëveshjet e rëndësishme me Kosovën dhe përpjekjet për të përmirësuar lidhjet rajonale e marrëdhëniet me fqinjët”, tha Johannes Hahn.
Pas takimeve në Kuvendin e Serbisë, ai takoi kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se për të mirën e serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, por edhe për shkak të qëndrueshmërisë dhe ekonomisë, Serbia do të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve.
“Kapitulli 35”, që do të zgjasë deri në fund të procesit, ka qenë kritik për Serbinë, pasi fillimisht ishte thënë se Gjermania kërkon njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
/ Top Channel