Ditën e sotme nis zyrtarisht procesi i vaksinimit në Kosovë! Mbrëmjen e djeshme u vaksinuan personat e parë, kryeministri Albin Kurti dhe më pas zyrtarja e OBSH-së në Kosovë, Isme Humolli, mjeku Sali Ahmeti dhe aktori Selman Jusufi.
Procesi i vaksinimit zyrtarisht nis sot në Klinikën Infektive dhe sallën “1 Tetor”, kurse në komuna të enjten dhe të premten.
“Me arritjen e kontingjenti të parë të vaksinave, të parët që do të fillojnë të vaksinohet do të jenë personeli shëndetësor të cilët janë në vijë të parë të frontit dhe personat mbi moshën 80 vjeçare me sëmundje kronike më të mëdha”, -ka thënë ministri Vitia.
Deri më tani autoritetet kanë miratuar një plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza. Në fazën e dytë përfshihen grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Kosova është vendi i fundit në rajon që ka nisur vaksinimin anti-COVID, pasi ditën e dielë morën kontigjentin e parë me 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca. Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.
g.kosovari