Ish-oficeri i policisë në Mineapolis, i akuzuar për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd doli përpara gjykatës të hënën, me prokurorët që shfaqën para jurisë videon ku duket Derek Chauvin duke i vënë gjurin në qafë afrikano-amerikanit për disa minuta, ndërsa kalimtarët e rastit i bërtisnin oficerit ta lëshonte, dhe vetë Floydi tek thoshte se nuk mund të merrte frymë.
Në deklaratën e hapjes, prokurori Jerry Blackwell i tha jurisë se numri që duhet të mbanin mend ishte 9 minuta, 29 sekonda – koha që Chauvin e kishte mbërthyer Floydin me gjurin e tij në trotuar, majin e kaluar në incidentin që shkaktoi dhunë mbarë kombëtare mbi padrejtësinë racore.
Oficeri i bardhë “nuk e hoqi gjurin”, edhe pasi Floydi nën pranga tha 27 herë se nuk mund të merrte frymë dhe humbi jetën, tha prokurori Blackwell.
“Ai i vuri gjunjtë në qafë dhe në shpinë, duke e shtrënguar dhe shtypur atë deri në frymën e fundit – zonja dhe zotërinj – ai i mori jetën”, tha prokurori.
Avokati i ish-policit Chauvin, Eric Nelson e kundërshtoi atë duke argumentuar se: “Derek Chauvin bëri pikërisht atë që ishte trajnuar të bënte gjatë karrierës së tij 19-vjeçare”.
Floyd-i po i rezistonte arrestimit dhe Chauvin mbërriti për të ndihmuar policët e tjerë të cilët po përpiqeshin ta fusnin Floydin në makinën e policisë, ndërsa turma përreth tyre u bë më e madhe dhe më armiqësore, tha avokati Nelson.
Avokati mbrojtës gjithashtu kundërshtoi deklaratën se Chauvin ishte fajtor për vdekjen e Floydit.
George Floyd nuk kishte asnjë nga shenjat treguese të asfiksimit dhe kishte droga të tilla si fentanil dhe metamfetaminë në sistemin e tij të gjakut, tha avokati Nelson. Ai tha se përdorimi i drogës, i kombinuar me sëmundjen e tij të zemrës dhe presionin e lartë të gjakut, si dhe adrenalina e shtuar në trupin e tij, kishin shkaktuar vdekjen e George Floydit nga një çrregullim i ritmit të zemrës.
“Në këtë sallë gjyqi nuk po shqyrtohet asnjë çështje politike apo shoqërore,” tha avokati Nelson. “Por provat janë shumë më të mëdha se 9 minuta dhe 29 sekonda”.
Autopsia e ekipit mjeko-ligjor vuri në dukje praninë e fentanilinës dhe metamfetaminës në sistemin e George Floydit, por renditi si shkakun e vdekjes “arrestin kardiopulmonar, të komplikuar nga shtypja e qafës”.
Chauvin, 45 vjeç, akuzohet për vrasje të paqëllimshme të shkallës së dytë, vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje pa dashje.
Videoja e parë gjerësisht ndezi zemërim në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe çoi në protesta dhe trazira të përhapura, së bashku me kërkesat që vendi të përballet me racizmin dhe brutalitetin e policisë.
Statujat e periudhës së konfederatës dhe simbole të tjera u hoqën në shumë qytete amerikane dhe aktivistët kërkuan që buxhetet e departamenteve të policisë të ndërpriteshin ose të rishikoheshin.
Rrjedha e ngjarjeve ndryshon nga ankesa fillestare e paraqitur muajin e kaluar nga prokurorët, të cilët thanë se Chauvin mbajti gjurin e tij mbi qafën e Floyd-it për 8 minuta e 46 sekonda. Në javët që pasuan, demonstruesit organizuan protesta me skena që simbolizonin rastin e vdekjes së zotit Floyd. Rrjedha e ngjarjeve u rishikua gjatë kursit të hetimeve.
Juria me 14 anëtarë po dëgjon çështjen. Sipas gjykatës tetë prej tyre janë të bardhë dhe gjashtë me ngjyrë ose të përzier. Dy nga 14 të përzgjedhurit do të jenë rezervë. Gjykatësi nuk ka përcaktuar se cili prej tyre do të jetë rezervë dhe cili nga juria do të marrë vendimin.
Ekspertët ligjorë presin që prokurorët të paraqesin videon e plotë para jurisë në fillim të procesit.
“Prokurorët e kanë si metodë pune që të hapin procesin me argumenta të forta. Asgjë nuk e përforcon më shumë argumentin në këtë rast sesa pamjet filmike”, thotë Jeffrey Cramer, ish-prokuror federal dhe drejtor menaxhues në Grupin e Hulumtimeve Berkley në Çikago.
Prokurori Blackwell tha se mes dëshmitarëve do të jenë edhe punonjësja e reagimit të shpejtë me Departamentin e Zjarrëfikësve të Mineapolisit, e cila dha ndihmën e parë. Prokurori i çështjes tha se polici Chauvin i drejtoi asaj pajisjen që spërkat spec djegës.
“Ajo donte të kontrollonte pulsin e tij, të kontrollonte nëse ai ishte mirë. Ajo bëri gjithça për të ndërhyrë. Kur ajo iu afrua zotit Chauvin….ai zgjati pajisjen spërkatëse me spec djegës në drejtim të saj. Ajo nuk mund të ndihmonte”, tha prokurori Blacwell.
Jashtë gjykatës, dhjetëra njerëz brohorisnin dhe mbanin pankarta ndërsa avokati i familjes Floyd, Ben Crump, aktivisti i të drejtave civile Al Sharpton dhe pjestarë të familjes Floyd po futeshin brenda. Grupi po ashtu mbante një arkivol të mbuluar me lule.
Avokati Crump tha se gjykimi do të jetë një provë “nëse Amerika do të respektojë Deklaratën e Pavarësisë”. Ai e kundërshtoi ashpër idenë se gjyqi do të jetë një test i vështirë për anëtarët e jurisë.
“Për të gjitha ata që vazhdojnë të thonë se ky është një gjyq i vështirë, ne e hedhim poshtë këtë argument. Ne e dimë se nëse George Floyd do të ishte një shtetas i bardhë amerikan, dhe të pësonte këtë vdekje torturuese dhe lënduese me gjurin e një polici mbi qafën e tij, askush, askush nuk do të thoshte se kjo është një çështje e vështirë”, tha avokati mbrojtës.
Procesi i gjykimit pritet të zgjasë rreth katër javë në gjykatën në qendër të Mineapolisit, e cila është fortifikuar me barriera betoni dhe është rrethuar me tela me gjemba. Udhëheqësit e qytetit dhe të atij shteti janë të përkushtuar për të parandaluar përsëritjen e trazirave që ndodhën pas vdekjes së George Floyd. Trupat e Gardës Kombëtare po ashtu janë mobilizuar.
Pyetjet thelbësore do të jenë nëse polici Chauvin në atë kohë shkaktoi vdekjen e zotit Floyd dhe nëse veprimet e tij ishin të arsyeshme.
Lidhur me akuzën për vrasje të paqëllimshme të shkallës së dytë, prokurorëve u duhet të provojnë se sjelljet e policit Chauvin ishin “faktor thelbësor shkaktar” në vdekjen e Floyd-it dhe se Chauvin po kryente në atë kohë një krim .
Ndërsa për akuzën për vrasje të shkallës së tretë, prokurorët duhet të provojnë se veprimet e policit Chauvin shkaktuan vdekjen e zotit Floyd dhe se ishin të nxituara dhe nuk morën parasysh jetën e njeriut.
Akuza për vrasje kërkon prova se Chauvin shkaktoi vdekjen e zotit Floyd përmes neglizhencës duke krijuar një rrezik të paarsyeshëm.
Vrasja e paqëllimshme e shkallës së dytë dënohet me deri 40 vjet burg, ndërsa vrasja e shkallës së tretë është e dënueshme me deri 25 vjet burg. Por udhëzimet për dënimin sugjerojnë se Chauvin mund të përballet me 12 vite e gjysëm burg nëse gjendet fajtor në njërën prej akuzave. Vrasja e paqëllimshme dënohet me deri 10 vite burg./Voa