Një 30-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën në një aksident rrugor që ndodhi natën e shkuar në Celle Ligure në Itali.
Denada Nerjaku banuese në Vado Ligure, u plagos rëndë në aksidentin rrugor, që u shënua në autostradën A10, ku makina e saj u përplas ballë për ballë me një automjet të tonazhit të rëndë.
Gruaja e re, u transportua me urgjencë në spital në Santa Corona në Pietra Ligure me anë të një helikopteri. Edhe pse gruas së re iu dha ndihma e duhur mjekësore, ajo ndërroi jetë, për shkak të plagëve që kishte marrë.
Traumat e ndryshme të shkaktuara nga përplasja e dhunshme, të cilat gjithashtu i kishin shkaktuar asaj hemorragji të rëndë, ishin fatale për jetën e shqiptares. Prokuroria lokale po heton këtë aksident.
Denada Nerjaku la pas një vajzë të vogël. Edhe vëllai i saj ishte banor i zonës së Savonës në shtetin italian.
/a.r